Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka denoncuar një rast, sipas të cilit nxënësit e shkollës 9-vjeçares në në zonën ‘Shkallë’ në fshatin Borsh nuk shkojnë dot në shkollë që pas datës 18 shkurt. E gjithë kjo ka ndodhur pasi shoferi i autobusit refuzon t’i dërgojë për shkak të bindjeve politike që kanë prindërit e tyre.
Në datën 18 shkurt 15 banorë të kësaj zone kanë marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë. Sipas deputetit demokrat prindërit paguajnë vetë shoferin për të transportuar 25 nxënës të arsimit 9 vjeçar, por pavarësisht kësaj drejtuesi i autobusit nuk shkon më për të transportuar fëmijët në shkollë.
Postimi:
Skandaloze kjo që ndodh me nxënësit e 9-vjeçares në fshatin Borsh!!!!
Të shqetësuar banorët më shkruajnë:
“Në zonën “Shkallë” të Borshit jeton një komunitet i cili ka 25 nxënës të arsimit 9 vjecar. Meqenëse distanca nga “Shkalla” deri në shkollën 9 vjecare, e cila ndodhet në fshatin Borsh, është e madhe mbi 40 minuta me këmbë, prindërit e këtyre nxënësve paguajnë shoferin e një autobusi me shumën 1500 lekë të reja në muaj për çdo nxënës.
Mbas datës 18 Shkurt 2017, ku 15 banorë të kësaj zonë, iu bashkuan banorëve të tjerë të zonës së Himarës në protestë në Tiranë, drejtuesi i autobuzit nuk shkon më për të transportuar fëmijët në shkollë. Sqarojmë se pagesa ishte bërë për gjithë muajin Shkurt.”
Kjo është tërësisht e papranueshme dhe e turpshme.
E para: nxënësit e këtij komuniteti diskriminohen politikisht, për shkak të bindjeve të familjarëve të tyre.
E dyta: Transporti i fëmijëve mbi 5 km duhet të sigurohet nga shteti. Pra duhet të bëhet falas.
MAS dhe pushteti lokal i PS, jo vetëm që kanë mbyllur sytë e veshët para faktit që janë prindërit që detyrohen të paguajnë shumën e shtetit, por tani nxisin dhe aprovojnë një luftë politike me fëmijët, duke i braktisur dhe duke i hedhur jashtë bangave të shkollës!?
Dhe pse?
I kanë prindërit me PD!!!
Ky pra “shteti” rramaduc dhe i neveritshëm i Ramës.
Hakmerret dhe me fëmijë.
Dorëheqja e zinxhirit përgjegjës deri tek vetë Ministrja do ishte akti më i pakët para këtij fakti tronditës.
(J.V/Shuplaka)