Gjykata italiane ka sekuestruar qendrën multifunksionale të qytezës së Norcias në Itali, projektuar nga arkitekti Stefano Boeri dhe e ngritur menjëherë pas tërmetit që goditi Umbrian dhe Italinë qëndrore më 24 gusht 2016. Kryebashkiaku i Norcias Nikola Alemanno dhe Stefano Boeri janë vënë nën hetim për shkelje të ligjeve të ndërtimit. Kryebashkiaku Alemanno njoftoi për ngjarjen pas marrjes së një njoftimi për garancinë lidhur me dispozitën e Gjykatës.
Prokurori i Spoletos ngre akuzën që puna është kryer në kundërshtim me legjislacionin që parashikon përkohshmërinë e objektit të ndërtuar.
Qendra “Norcia 4.0” – sipas hetuesve – është ndërtuar duke patur karakterin e një strukture të përherëshme.”
Autorizimi i sekuestrimit për hetimet paraprake u dha nga gjyqtari Francesco Salerno, ndërsa ekzekutimi i vendimit pasditen e së martës u krye nga karabinieria e Norcias.
Hetimi i prokurorisë lindi për shkak të shkeljes së Ligjit mbi ndërtimet.
Struktura prej druri e xhami prej 450 metra2, u hap në qershor të vitit 2017 – ajo u bë e mundur përmes mbledhjes së fondeve nga Corriere della Sera dhe La7 në fushatën “Një ndihmë e menjëherëshme”.
Godina përdorej si Qendra e Operacioneve komunale, por edhe një hapësirë në dispozicion të shoqatave dhe nismave të tjera të ndryshme.
De Micheli: besim tek ndërtuesit dhe gjyqësori
“Unë jam i qetë. Mendoj se ky është një keqkuptim gjigand”, komenton Stefano Boeri mbi njoftimin e vendimit të Gjykatës të marrë nga ai dhe nga kryetari i Bashkisë së Norcias.
“Unë nuk e di si mund të thuhet që nuk është e përkohshme. Godina mund të shpërbëhet plotësisht dhe të rindërtohet sërisht, duke përfshirë të gjitha sistemet”.
Komisionerja për rindërtimin e zonave të goditura nga tërmeti në Itali, Paola De Micheli, beson se është e rëndësishme “të shprehet në emër të qeverisë italiane besimi për ata që punojnë në rindërtim” dhe vë në dukje se “është e dobishme që ata të kujtojnë natyrën e përkohshme dhe jo të pasigurt të godinave si dhe rolin themelor për pritjen, në fazën e menjëhershme pas tërmetit”.
De Micheli gjithashtu vë në dukje se, “me besim të plotë te gjyqësori,” shpreson “që kjo histori të mund të sqarohet sa më shpejt të jetë e mundur – duke pasur parasysh edhe gjendjen e fundit të jashtëzakonshme, afati i së cilës është zgjatur nga Këshilli i Ministrave – për shërbimin e komuniteteve që kanë nevoja të veçanta për t’iu kthyer jetesës në kushte normale”.
Vendimi i Gjykatës
Sipas gjykatësit, “abuzimi i kryer me ndërtesën do të ketë ndikim negativ në peisazhin mjedisor dhe ndikim në një zonë, e cila është objekt i mbrojtjes së veçantë.”
Po çfarë ndodhi realisht?
Paratë e dhuruara dhe puna falas nga stafi i drejtuar prej arkitektit Stefano Boeri sollën në jetë strukturën. Kjo e gjitha, tashmë nuk ka më vlerë. Gjykatësi i Spoletos, në zbatim të kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur sekuestrimin e ndërtesës. E kështu ka urdhëruar mbylljen e qendrës multifunksionale duke mbajtur në fuqi arsyetimin e organit të akuzës.
Një vendim në dukje i çuditshëm dhe absurd në disa aspekte, duke patur parasysh që procedura ia lejon gjykatësit të gjejë zgjidhje të ndryshme.
E gjithë zona “Monti Sibllini” është bllokuar sepse nuk kishte vend tjetër ku mund të sistemohej qendra në mënyrë që të ishte lehtësisht e arritshme nga qytetarët.
Po kjo nuk ka patur fare rëndësi në vendimin e Gjykatës, që në mënyrë eksplicite flet për “abuzim në ndërtim”. “Vepra, – thonë ekspertët, – nuk është e përkohshme siç thotë ligji, por e përhershme”.
Kjo është një tezë të cilën Boeri thotë se është gati ta mohojë me fakte. Ndoshta gjykatësi mund ta thërriste për ta dëgjuar përpara se të merrte vendimin. Por mbi të gjitha do të ishte e dobishme të vlerësohej çfarë do të mund të ndodhte nëse do të kishte sërish lëkundje të forta toke dhe banorët e Norcias të mos dinin ku të gjenin strehim.
Intervista e Corriere della Sera me Stefano Boerin
Vetë Stefano Boeri ka folur vërtet i shtangur nga ky lajm për “Correre della Sera” lidhur me vendimi të cilin e kundërshton, pikërisht ai, arkitekti nga më të shquarit që e projektoi dhe zbatoi (nga ana tjetër falas) qendrën në Norcia, se paska shkelur ligjet e mbrojtjes së mjedisit.
Prokuroria e Spoletos gjykon se godina juaj është e përhershme
“Nuk bëhet fjalë. Është një strukturë e ngritur me panele të parafabrikuara druri, të montuara me bulona dhe me vida të thata. Madje edhe menteshat dhe impiantet janë bërë me korrigjime teknike të veçanta në mënyrë që të rihiqen. Është që e gjitha e çmontueshme dhe e lëvizshme”.
Dyshohen që themelet t’i keni bërë me beton
“Tani duhet të tregohemi seriozë. Ajo është një zonë ku ka patur një tërmet shkatërrimtar. Komuna na kërkoi një strukturë të sigurt ku të mund të strehoheshin personat që gjatë sizmës mbetën duke fjetur në qiell të hapur, pasi nuk dinin ku të shkonin. Ne, për t’u treguar të kujdesshëm, ndërtuam një themel shumë më të lehtë me trarë dhe pllaka çimentoje, si dhe një sistem ajrimi që mund të hiqet lehtësisht. Por nëse nuk është në rregull kjo, pyes: do të sekuestrojmë që të gjitha shtëpizat (zgjidhje banimi emergjence) me themele betoni?
Prokurorët kundërshtojnë faktin që zona ku është ngritur është bujqësore dhe ndodhet brenda Parkut Monti Sibillini, përpara se ta realizonit me fondet e mbledhura nga nisma “Një ndihmë e menjëherëshme”, a kërkuat lejet e rregullta?
“Zona u caktua nga Komuna, pas një urdhri të kryekomunarit në përputhje me urdhëresat e Emergejncës Civile, e cila i ka ndjekur të gjitha hapat e ndërtimit, së bashku me një arkeolog që ka qenë gjithnjë i prnaishëm. Në inaugurim ishin komisionari i jashtëzakonshëm Vasco Errani dhe presidentja e rajonit Katia Marini”.
Organi i akuzës kundërshton faktin që godina të jetë vetë një strukturë emergjence sepse po përdoret edhe për aktivitete të tjera në fakt.
“Jam shumë kurioz të kuptoj arsyet e kësaj garancie që kërkojnë ata. Fakti që qendra është ndërtuar në mënyrë të tillë që të bëhen edhe mbledhje vendore, të luajnë fëmijët apo të rrinë të moshuarit, të ketë tëatër çdo mbrëmjë apo koncerte, do të thotë se diçka nuk shkon? Po pse vallë?”
Ata kundërshtojnë që Urdhëri i Mbrojtjes Civile të heqë dorë nga ligjet e peisazhit mjedisor vetëm për strukturat që do të përdoren në fazat pas tërmetit.
“Ende vijon gjendja e emergjencës. Ky pavion është mbi të gjitha një strukturë për mbrojtjen civile, për të mirëpritur qytetarët në rast emergjence. Dhe e sekuestrojnë? Për një keqkuptim gjigand, e mbyllin thjesht sepse besojnë se struktura nuk mund të çmontohet? Seriozisht e kanë?”
Përshtati nga Corriere della Sera, E.L/Faxweb