Pak emra suprizë pati me shpalljen e qeverisë ditën e djeshme, një prej të cilëve ishte dhe ai i zëvendëskryeministres Senida Mesi.
Shkodrania që fitoi për herë të parë mandatin duket se ka marrë besimin e plotë të Ramës për ta pasur krahun e tij të djatthtë.
Mirëpo nëse hulumton pak për Mesin përveç faktit të një gafe në transmetim ‘’live” ku etiketon komunitetin rom si ‘’jevgj”, ka dhe një tjetër histori të sajën. Këtë herë jo si politikane po si një qytetare e Shkodrës.
Mesi i ka shkruar Ramës disa vite më parë 1001 të zeza për keqqeverisjen që po i bëhej vendit asokohe. Duke filluar nga shpërthimet me tritol që ato kohë ishin të shpeshta deri te mënyra sesi bëheshin punësimet në administratë.
“Ndihesh i sigurt të jetosh në Shqipëri? Unë jo! Mbas shpërthimit me tritol mbrëmë te komshiu i pallatit tim, ndjenjës së pështjelluar (frikë, pasiguri, trishtim) i bashkohet një thirrje për qeverinë: Stop fushatës PR për shou politik që keni ndërmarrë, mjaft me konferencat për shtyp, boll më duke dalë në TV!
Nuk dua t’ju shoh si protagonistë televizorësh, as gazetash, nuk dua të dëgjoj më vendime që ky vend bëhet nëse investojmë në rindërtime, zyra pune, doganash etj., apo pjesëmarrje me ‘konkurs’ në Ekzekutiv, apo që keni hartuar plane afatmesme dhe afatgjata.
Nuk dua të dëgjoj çdo nëpunës të administratës duke dhënë intervista dhe mbushur programacionin e TV kombëtare dhe lokale, që më shumë se neveri dhe inkompetencë më japin përshtypjen që po i paguajmë për spikerë të rëndomtë që shumica prej tyre nuk di aq shqipen mirë. Dua të ndiej dhe shoh përditë që Kryeministrit që i besova po bën punën, dua të shoh njerëz të qeshur, që nuk mendojnë çdo ditë të ikin nga ky vend, që nuk mendojnë çdo ditë çfarë do hanë darkë.
Dua të shoh çdo krimbërës në burg, dua të shoh shkolla të reja dhe të sigurta, dua të shoh spitale që funksionojnë, dua të shoh rend dhe rregull, dhe jo thjesht njerëz që dalin në punë, rrinë në zyra dhe llafosin apo pinë kafe, por s’ia kanë idenë cila është përgjegjësia dhe përshkrimi i punës për të cilën marrin pagën”, shkruante asokohe Mesi.
A thua se gjendja e Shqipërisë është ndryshuar kaq shumë sa të bëhen bashkë një ‘’qytetare” mjaft e zhgënjyer dhe kryeministri Rama?! Apo ndoshta Mesi vijon të mendojë se kryetari i qeverisë duhet ti japë fund fushatës në televizione. Na mbetet të presim dhe të shohim.
(E.K/SHUPLAKA)