Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka thërritur mbrëmjen e djeshme një takim informal me liderët e ballkanit Perëndimor, në Neë York, ku po mbahet dhe konferenca e OKB-së.
Pjesë e darkës së thërritur nga Borell kanë qenë kryeministri Edi Rama nga Shqipëria, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanoviç, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kreu i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiç, ndërkohë që Serbia përfaqësohej nga ministri i jashtëm Nikola Selakoviç.
Në këtë takim mësohet se është folur në lidhje me situatën në rajon, që ditët e fundit është rindezur për shkak të vendosjes së reciprocitetit në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, marrëdhëniet që vendet e BP kanë me BE, si dhe për samitin që unioni pritet të mbajë muajin e ardhshëm, ku do të diskutohet pikërisht mbi procesin e integrimit.
Mësohet se në fjalën e tij Borrel u ka nënvizuar përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nevojën për një angazhim të fortë të dyanshëm nga BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për të kapërcyer dinamikat aktuale dhe për të çuar përpara procesin e integrimit.
Kujtojmë se ky është takimi i dytë që organizohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE, pas darkës joformale në Brukel, të zhvilluar në muajin maj të këtij viti. Pavarësisht takimeve intesive, edhe me praninë e zyrtarë të BE, në Ballkan shumë çështje vijojnë të jenë të pazgjidhura, ndërkohë që nisma “Open Ballkan” ka nxjerrë edhe më shumë në pah diferencat që kanë vendet mes tyre.
(E.K/Faxweb.al)