Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha përmes një deklarate se është “e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri”.
Reagimi i Kaja Kallas vjen pas debatit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ukraina është Evropë! Ne qëndrojmë pranë Ukrainës. Ne do të shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën në mënyrë që ata të vazhdojnë të luftojnë kundër agresorit,” tha Kallas në platformën X.
“Sot, u bë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri. Varet nga ne, evropianët, ta përballojmë këtë sfidë”, vijon më tej kryediplomatja e BE-së.
Udhëheqësit e BE-së lëshuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët të premten duke i kërkuar Zelenskyt që të “qendrojë i fortë”.
“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Ji i fortë, trim, ji i patrembur. Ju nuk jeni kurrë vetëm, i dashur President Zelensky. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë liderët e BE-së (Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit António Costa dhe Presidentja e Parlamentit Roberta Metsola).
Ndërkohë, një diplomat evropian tha për CNN se nuk kishin parë kurrë “një breshëri të tillë akuzash” të ngritura ndaj liderit të një kombi të pushtuar.
“Jam i tronditur. Nuk kam parë kurrë një breshëri të tillë akuzash në nivel zyrtar ndaj liderit të një vendi që është sulmuar nga një shtet agresor”, tha diplomati, duke folur në kushte anonimiteti.
“Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë më pas, le të shpresojmë që Presidenti Trump do t’i rikthehet ndjenjave më të mira ndaj Presidentit Zelensky”, tha diplomati evropian.
Kujtomë se gjatë takimit të djeshëm, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përplasur verbalisht me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance në Zyrën Ovale.
Trump akuzoi Zelensky për “bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, ndërsa Zelensky tha se nuk duhet të ketë “kompromise” me presidentin rus Vladimir Putin.
Takimi i dy liderëve në Zyrën Ovale u zhvillua me tone të ashpra dhe tensione.
Zelensky i kërkoi Presidentit Trump të jetë i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa Trump e paralajmeroi me tërheqje të mbështetjes amerikane.
Dy udhëheqësit pritej të nënshkruanin një marrëveshje që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të konsiderueshme tek mineralet kritike të Ukrainës.
Megjithatë, Presidenti Zelensky e sfidoi hapur zotin Trump për zbutje të qëndrimit ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti Zelensky kundërshtoi argumentet e zotit Trump se qytetet ukrainase janë kthyer në rrënoja nga lufta tre vjeçare.
Presidenti Trump theksoi se udhëheqësi rus Putin dëshiron të bëjë një marrëveshje.
Por presidenti Zelensky i tha zotit Trump se zotimeve për paqe të Presidentit rus Vladimir Putin nuk mund t’u besohet, duke renditur rastet kur udhëheqësi rus ka dalë nga fjala. Zoti Trump tha se Putini nuk i ka shkelur marrëveshjet me të.
“Duhet të jesh më mirënjohës”, “po luan me zjarr me Luftën e Tretë Botërore”, i tha Presidenti amerikan homolugn Zelensky.
Trump e kritikoi presidentin ukrainas, pasi Nënpresidenti JD Vance, njëri prej zërave më skeptik të administratës ndaj Ukrainës, i tha Zelenskyt se po tregonte mungesë respekti, duke debatuar me zotin Trump në Zyren Ovale para mediave amerikane.
“A ke thënë të paktën një herë ‘falemnderit’?, e pyeti Nënpresidenti Vance yotin Zelensky.
Presidenti Donald Trump i tha Presidentit Zelensky se ose duhej të bënte një marrëveshje, ose Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdonin ta mbështesnin më tej.
Presidenti Zelensky i kërkoi homologut amerikan Trump që të “mos bënte kompromise me një vrasës”, duke iu referuar udhëheqësit rus.