Deputeti socialist Erion Braçe ironizon kreun e PD-së Lulzim Basha, pas deklaratave të forta të këtij të fundit përpara protestuesve, në “Çadrën e Lirisë” të vendosur përballë Kryeministrisë.
Nëpërmjet një postimi në instagram, Braçe përdor të njëjtat fjalë që Basha përdori në protestën e sotmë dhe të djeshme.
REAGIMI I BRAÇES
“Ngrihuni dhe; PUNONI! PUNONI! PUNONI! (2)
Sa here shihni nje pune qe kryhet, nje veper qe ndertohet, nje sherbim qe permiresohet, ngrini grushtin dhe bjeruni llapaqeneve, dembeleve, çdonjerit prej atyre qe ka pushtet por e perdor per te ndenjurat e tij, femijet apo familjen e tij, perfitimet e tyre.
Shponi….. e ngaterrova serish;
Ne njesine Gradishte, ne Goricaj kanali i pare vadites perfundoi; dje dhe sot, vijojme fort ne Kemishtaj-Mertish me te tjere kanale; vijojme edhe Terbuf, Grabian, nen koder, drejt Tre Urave, Stravecit e hidrovorit; mes Mertishit e Ferrasit, drejt Spolates, nen te.
Ne nuk presim strategji per te punuar, thjeshte punojme.
Ndaj edhe nje here;
LUFTE KERKONI, PUNE DO KENI!
E ben dot?”.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë Basha bëri disa deklarata mjaft të forta, ku u kërkoi qytetarëve të reagojnë ashpër ndaj atyre që u bëjnë padrejtësira: “Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë. Kush luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak.”
Ndërsa sot, Basha sërish u bëri thirrje qytetarëve që shuplakës t’i përgjigjen me grusht. (D.D/Shuplaka)