Gjatë prezantimit të kësaj draft-strategjie, kryetari i komisionit Erion Braçe vlerësoi se ajo synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe ligjore për të parandaluar dhe luftuar ndërhyrjet e huaja që mund të ndikojnë në proceset demokratike, stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare, ekonominë dhe infrastrukturën kritike të Shqipërisë, veçanërisht në sektorët strategjikë të saj.
Braçe informoi se si pjesë e këtij procesi janë zhvilluar takime pune me grupe të ekspertëve të jashtëm ku u përcaktuan hapa dhe afate për hartimin e draft-strategjisë.
“Përfaqësues nga institucionet publike dhe ekspertë të pavarur kanë kontribuar në përgatitjen e një dokumenti analitik, i cili përshkruan gjendjen aktuale të ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri. Ky dokument shërbeu si bazë për hartimin e draft strategjisë dhe përcaktimin e ndërhyrjeve prioritare të cilat janë në përputhje me objektivat kyç të komisonit”, shtoi Braçe.
Puna për hartimin e strategjisë ka kaluar në disa faza, ku Braçe veçoi analizën e detajuar të situatës aktuale të ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri.
Ky proces, sipas tij, “ka përfshirë vlerësimin e ndikimit të ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje dhe procese demokratike duke analizuar rreziqet që lidhen me financimin politik, aktivitetet propagandistike dhe manipulimin informativ, studimin e rasteve konkrete të dezinformimit dhe operacioneve të ndikimeve të huaja të identifikuara nga institucionet e sigurisë kombëtare dhe raportet ndërkombëtare”.
Po ashtu, Braçe theksoi se është kryer analiza e legjislacionit për të përcaktuar boshllëqet ligjore që mund të shfrytëzohen nga aktorët e huaj për të ndikuar në Shqipëri, si dhe janë vlerësuar aftësitë institucionale për të zbuluar dhe kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe mapulimin informativ.
“Përmes këtij studimi evidentohet nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar mes institucioneve shqiptare për të adresuar kërcënimet në mënyrë efektive dhe në kohë”, shtoi ai.
Duke sjellë në vëmendje objektivat kryesorë të strategjisë, Braçe tha se ajo fokusohet në 4 shtylla kryesore.
Ai nënvizoi forcimin e kapaciteteve institucionale për të parandaluar, zbuluar dhe analizuar ndërhyrjet e huaja në fushatat zgjedhore, përfshirë përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit mbi ndikimet e huaja në proceset zgjedhore dhe financimin politik të partive politike dhe aktorëve që bëhen pjesë e zgjedhjeve.
“Strategjia synon mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë për të identifikuar dhe neutralizuar ndërhyrjet e huaja në vendimmarrjen politike dhe institucionale”, tha Braçe.
Po ashtu objektiv i strategjisë, sipas tij, “është sigurimi i mbrojtjes së ekonomisë kombëtare dhe veçanërisht sektorëve kritikë strategjikë, si dhe hartimi i masave për të shmangur ndikimin e huaj në sektorët strategjikë si energjia, infrastruktura dhe teknologjia.
Një tjetër fokus i strategjisë sipas Braçes mbetet forcimi i lirisë së shprehjes dhe medies në tërësi si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për dezinformimin.
“Synohet krijimi i mekanizmave për verifikimin e fakteve dhe përmirësimi i edukimit mediatik për të rritur rezistencën e publikut ndaj propagandës dhe manipulimit informativ duke nisur nga një hap shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me formalizimin e një tregu që tani operon thuajse tërësisht në terren informal”, shtoi ai.
Braçe bëri të ditur se komisioni i posaçëm synon të finalizojë dhe konsultojë draftstrategjinë kombëtare deri në fundin e muajit shkurt 2025, ndërkohë që draft-strategjia do të publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit te Konsultimi Publik.
Pas kryerjes së konsultimit publik dhe procedurave parlamentare, Braçe bëri të ditur se strategjia do të miratohet në Kuvend gjatë muajit mars.