Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka sulmuar ashpër Presidentin e FSHF, Armand Duka, i cili është në garë për të marrë sërish drejtimin e këtij institucioni.
Braçe është shprehur se Duka është injoranti më i madh dhe se ai po bën biznes personal me futbollin, pasi vendos pikërisht ai se kush duhet ta fitojë kupën, kush duhet të shkojë në kupat evropiane, e me radhë.
Sa i takon ndërhyrjeve politike në garë, duke u nisur nga kandidimi i deputetit socialist, Bashkim Fino, për President të FSHF, Braçe i kërkoi Dukës të qepë gojën dhe të mos flasë, pasi është vetë ai që e ka politizuar futbollin, duke futur kryetarë bashkish, të cilët kanë votuar politikisht në mbështetje të tij.
“Më ka ardhur keq që nuk isha te lista e presidentit tek ata që po ndikonin politikisht në proces. Këtu mund të flasim lirisht, sepse në Tv e tjera të vënë pas murit. Kjo nuk do të thotë se Duka ka arritur të bindë mediat me vizionin e tij të gjerë. Mua më duket injoranti më i madh i një institucioni, është paraja në mes që ka detyruar një pjesë të madhe të tv, paraja e reklamës, mjafton të shohësh listat. Ajo që më shqetëson pafund, duke marrë shkasë dhe nga drama që po i ndodh peshëngritjes, është pikërisht kjo. Duka ka shkatërruar garën në sportin më popullor në vend. Është ky njeri që vendos se kush duhet të dalë kampion, kush duhet të dalë i treti, kush duhet të fitojë kupën e Shqipërisë dhe të shkojë në kupat e Evropës.”, u shpreh Braçe për Report Tv. (J.V/Faxweb)