Referuar analizës dhe provave te paraqitura, Gjykata dëshmon se në rastin konkret ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit Ismail Zeneli, Besmir Murtati, Eralb Breçani dhe përdoruesi D**P (i paidentifikuar), kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për trafikimin e një sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Hollandë, ku konkretisht Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Besmir Murtati kanë patur sasinë prej 10 kg secili. Ndërsa, pjesa tjetër e kokainës së sekuestruar nga autoritetet Hollandeze ka qenë e përdoruesit të Sky ECCc*D**+p, i paidentifikuar.
Megjithëse nuk evidentohen që të përmënden biseda të mëparshme lidhur me sasinë, ata janë të interesuar nëse lënda narkotike ka dalë nga porti Roterdamit dhe vetë në bisedë e shprehin si humbje faktin që sasia ishte sekuestruar nga agjencitë ligjzbatuese. Në këtë aspekt mbahen parasysh bisedat e përmendura dhe të cituara në rrethanat e faktit, kryesisht ato të periudhës 09.11.2020-04.02.2021. Në këto kushte, duke patur parasysh momentin ku ndodhen hetimet paraprake dhe analizën e mësipërme, Gjykata çmon se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani në bashkëpunim me përdoruesin D**p (te paidentifikuar) kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
16.2. Gjithashtu, gjykata çmon se në rastin konkret ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani bashkë me përdoruesin D**p (të paidentifikuar), kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin edhe për trafikimin e një sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në portin e Valencias, Spanjë. Në këte episod del edhe shtetasi Artan Sulejmani, i cili nuk rezulton në komunikim në grupin e chat-it, por me datë 13.01.2021 me shtetasin Ismail Zeneli del në pah si bashkëpunëtor dhe pjesë e ngarkesës me lëndë narkotike dhe në dijeni se me kë po e organizon trafikun shtetasi Ismail Zeneli. Bisedat në lidhje me këtë rast janë realizuar nga bashkëpunëtorët gjatë periudhës 06.01.2021-19.02.2021.
16.2.1. Konstatohet se në të dyja rastet e sipërcituara nuk është bërë e mundur marrja e lëndës narkotike për shkaqe te pavarura nga vullneti i personave nën hetim, pasi ajo është gjetur dhe sekuestruar nga agjencitë ligjzbatuese. Qëlimi i personave të përfshirë në të dyja episodet e mësipërme ka qenë sigurimi i lëndës narkotike me qëllim shitjen në tregun europian dhe sigurimin e fitimeve të paligjshme. Bashkëpunimi i tyre, nuk ka qenë një bashkëpunim i thjeshtë, por një formë e veçantë bashkëpunimi, ate të grupit të strukturuar kriminal.
Bashkëpunimi i personave nën hetim ka një strukturim minimal, ku ka një krijues të grupit çat me qëllim kryerjen
e veprës, ka një organizim midis pjesëmarrësve duke qenë shtetasi Ismail Zeneli si pritës i lëndës narkotike, financues dhe personi përgjegjës për nxjerrjen e saj nga porti, Artan Sulejmani bashkëpunëtor i Ismail Zenelit bashkëposedues i 20 kg në ngarkesën e porositur kjo evidentuar e dhënë bisedën e datës 13.01.2020 në orën 20:40 midis Ismail Zenelit dhe Artan Sulejmanit. Eralbi Breçani dhe Besmir Murtati financues si dhe përfitues nga aktiviteti i paligishem. Këta persona nuk kanë bashkëpunuar rastësisht, por ato ndërveprojnë në të paktën dy raste me njëri-tjetrin për kryerjen e veprave penale, gjë e cila është një nga elementët kryesore që e ndalon këtë formë bashkëpunimi të veçantë nga bashkëpunimi i thjeshtë.
Nga ana tjetër, bashkëpunimi për kryerjen e një ose disa veprave ne rastin e grupit të strukturuar kriminal duhet të jetë i planifikuar, ose i paramenduar më parë se të kryhen veprat penale, element ky që evidentohet në komunikimet e personave nën hetim, ku kanë diskutuar për një kohë të gjatë deri në momentin që është siguruar lënda narkotike e më pas trafikuar e sekuestruar nga agjencitë ligjzbatuese.
16.3. Githashtu, gjykata dëshmon se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ismail Zeneli në bashkëpunim me personat nën hetim Bujar Ajeti dhe Dedan Gjonin kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e Edmond Nela, Albert Nela, Silvi Nela, me qëlim kryerjen e vrasjes së vëllezërve Nela. Veprimet e personave nën hetim, interpretohen vetëm në drejtim të vrasjes së vëllezërve Nela, pasi nga bisedat perfitohen të dhëna vetem të ekzistencës së një konflikti dhe jo arsye të tjera. Shtetasi Bujar Ajeti, në marrëveshje me personin nën hetim Ismail Zeneli dhe duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të shtetasve Albert dhe Edmond Nela, si dhe duke orientuar Ismail Zenelin se si duhet të veprohet dhe ku të kërkohet informacioni me qëlim gjetjen e personave, ka kryer veprime në drejtim të sigurimit të kushteve për kryerjen e një vrasje, qëllim ky i personit nën hetim Ismail Zeneli. Shtetasi Dedan Gjoni, punonjës policie, ka përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, në shërbim të qëllimeve të paligjshme të shtetasit Ismail Zeneli dhe jo për nevoja të diktuara nga detyra funksionale e tij.
Rezulton se shtetasi Dedan Gjoni ka vepruar në shkelje të plotë të detyrave funksionale të tij, duke krijuar kushte që mund të cenojnë jetën e personave Edmond dhe Albert Nela, si dhe ka kryer veprime aktive në kundërshtim me misionin e policisë së shtetit. Veprimet e shtetasit Dedan Gjoni janë në kundërshtim me parimet e veprimtarisë së Policisë së Shtetit, ku është edhe ruajtja e informacionit të klasifikuar. Personi nën hetim Dedan Gjoni dyshohet se ka qenë në dijeni të plotë të qëllimeve të shtetasit Ismail Zeneli, pasi ai me këtë të fundit nuk kanë patur njohje të mëparshme, por në një periudhë të shkurtër kanë patur intensitet komunikimi vetëm për një qëllim, marjen e informacionit për vendndodhjen etj. të vëllezërve Nela. Shtetasi Dedan Gjoni në bisedën e datës 24.02.2021 shprehet se: ” E E E” “Beso se kesaj radhe jemi në shenjë”… “Me qetësi do e marrim tani”… “Jemi në kohë”…” eekspozon veten si pjesë të planit.
16.4. Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Bajram Grabova në bashkëpunim me personin nën hetim Albert Prenga dhe shtetas të paidentifikuar kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit marijuanë nga Spanja për në Gjermani. Siç është cituar edhe më sipër, rezulton se më datë 03.11.2020 nga Policia gjermane është sekuestruar një sasie lënde narkotike prej 166 kg, e dyshuar e llojit marijuanë. Kjo lëndë narkotike ishte ngarkuar në kamion dhe drejtohej nga shtetasi shqiptar Bajram Grabova, i datëlindjes 24.02.1963. Nga përmbajtja e komunikimeve mes bashkëbiseduesve të paidentifikuar, rezulton se përdorues i CMMINGS, i identifikuar si 97 shtetasi Albert Prenga është porositës dhe bashkëfinancues në trafikimin e një sasie lënde narkotike e llojit marijuane, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptar të paidentifikuar.
Kjo sasi dyshohet se është nisur nga Spanja e nëpërmjet Francës dhe Luksemburgut, ka patur si destinancion final Gjermaninë. Bashkëpunimi i personave nën hetim ka qenë në formën e veçantë të bashkëpunimit, ku shtetasi Albert Prenga ka qenë poseduesi dhe dërguesi i lëndës narkotike nga Spanja për Gjermani, dhe Bajram Grabova në dijeni të plotë ka qenë personi që ka transportuar lëndën narkotike për në destinacion si dhe një person i paidentifikuar që evidentohet në komunikime i cili ka patur rolin e personit që do ruante rrugën para për të kontrolluar nëse ka prani të forcave të policisë.
16.5. Shtetasi Dedan Gjoni ka konsumuar veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” të një sasie prej 10 kg hashash më 03.11.2020, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se shtetasi Dedan Goni në kundërshtim me detyrën e tij funksionale është vënë në shërbim dhe ka shfrytëzuar sistemet e Policisë së Shtetit dhe njohjet në rradhët e Policisë së Shtetit për të marrë dhe ofruar informacione personave që kryejnë veprime në kundërshtim dhe në shkelje të ligjit. Këto informacione janë marrë dhe vënë në dispozicion të personave të tretë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregullore për nevoja të padiktuara nga funksioni i tij. Po ashtu, është në mosrespektim të parimeve të policisë së Shtetit dhe kufizimeve në jetën politike të punonjësit të policisë së shtetit, të cilit i ndalohet të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht për të siç ka bërë shtetasi Dedan Gjoni në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ku evidentohet në bisedat e datës 05.03.2021 që mbështet kandidatin Myslim Murizi. Shtetasi Dedan Gjoni vazhdimisht në biseda shfaq prirjen e tij per të qenë i përfshirë në krimin e organizuar. Gjate analizimit të komunikimeve të tij, në momentet që duhet të ushtronte funksionin e oficerit të policisë, ai ndodhet në shërbim apo shpreh gatishmërinë për t’i shërbyer një aktiviteti të jashtëligjshëm.
16.5.1. Gjithashtu, në episodin e sipërcituar, punonjësja e policisë Jonida Babameto ka kryer veprime me dashje në kundërshtim me detyrën funksionale, duke keqpërdoruar sistemet dhe aksesuar të dhëna për shkak të funksionit të saj si specialiste në ZQK Interpol Tirana. Megjithëse ajo ka shpërndarë këtë informacion me një punonjës policie si shtetasi Dedan Gjoni, me të cilin janë kolegë për shkak se shërbejnë në rradhët e policisë, veprimet e shtetases Jonida Babameto cënojne interesat e shtetit për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike karshi qytetarëve. Në këto kushte, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja Jonida Babameto ka konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”. Veprimet e shtetases Jonida Babameto janë kryer me dashje dhe në shkelje dhe abuzim të detyrës si specialiste e ZQK Interpol Tiranë. Megjithëse nuk provohet që shtetasja Jonida Babameto të ketë patur dijeni apo kontakt me personat te cilët kanë përftuar nga informacioni i prodhuar prej saj, kjo shtetase duke i vënë në dispozicion informacione të klasifikuara punonjësit të policisë Dedan Gjoni, ai këto informacione ja ka transmetuar personave të ndryshëm në konflikt me ligjin në vende europiane. Në këtë mënyrë i është dhënë mundësi këtyre personave që pasi të vihen në dijeni për informacionet që disponon Interpol rreth tyre, ato t’i shmangen apo të marrin masa per t’ju shmangur ligjit.
16.6. Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Ervin Mata në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar një sasi prej 250 kg lënde narkotike e llojit kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main-Germani. Lidhur me këtë fakt, evidentohen edhe biseda të datës 29.09.2020, ku shtetasi Ervin Mata me perdorzes të tjerë shqipfolës, tregon ge i janë kapur dhe sekuestruar nje sasi prej 240 kg, sasi e cila lidhur me problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt diskuton edhe në grup chat- in 6H06SK:57.
16.7. Gjykata çmon se në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Erzen Breçani, në dijeni të plotë të aktivitetit të jashtëligjshëm që ushtron djali i tij Eralbi Breçani, ka kërkuar shuma parash, burimi i së cilave ka qenë trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike, duke i investuar në aktivitetin tregtar “HEC DRITA ENERGY”, me administrator Eralbi Breçanin. Këto përfitime të paligjshme jane investuar në HEC nën mbulimin që janë financime nga kredia, duke bërë të mundur shmangien nga raportimi në institucionet përkatëse. Sa më sipër, ndodhur para këtyre fakteve, Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se nga shtetasi Erzen Breçani është kryer vepra penale e parashikuar nga neni 287 i K.Penal. Gjithashtu, dyshohet se ai ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione shtetasve Bujar Ajeti si dhe Nuredin Dumani në mënyre qe këta shtetas t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore. Një nga elementët e veprës ana objektive, ështe edhe “çdo mënyrë tjetër me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit…” ku informacioni i dhënë nga shtetasi Erzen Breçani është një nga mënyrat që ka ndikuar që shtetasit Bujar Ajeti dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet dhe të shmangin çdo lëvizje që do mund të sillte arrestimin e tyre.
16.8. Sa më sipër, Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personat nën hetim kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe është regjistruar procedimi penal objekt gjykimi.