Nga Enton Abilekaj
Majlinda Bregu dhe Eduart Selami udhëhoqën qëndrimet pro Reformës në Drejtësi, duke u përplasur cdo ditë me hezitimin e drejtuesve të PD. Pati një diferencim të tyre atëherë, i quajtën tradhtarë, të shitur etj. por qëndrimi i tyre në 21 korrik, doli të ishte i drejtë.
Sot u rishfaqën: “Kundër bojkotit të zgjedhjeve, kundër bojkotit të parlamentit, kundër rrëmujës”. Një qëndrim që nuk mundën ta shprehin në forume, se forumet nuk u mblodhën, një qëndrim që nuk e kundërshtuan dot me votë se nuk u votua. Nuk janë vetëm ata të dy që kanë një qëndrim ndryshe, nuk janë vetëm ata që kërkojnë mbledhjen e forumeve dhe demokraci brenda PD, por ata kanë patur dhe kanë guximin ta thonë publikisht mendimin, pavarësisht kostos. Shumica në PD mund t’i kundërshtojë, por jo t’i akuzojë, shumica mund të vazhdojë rrugën që ka nisur, por jo pa votim në forume, mund të votojnë kundër propozimit për hyrje në zgjedhje, por jo t’i përjashtojnë nga Partia apo t’i sulmojnë publikisht, sepse kanë dale në cadër për ta mbrojtur oponencën jo për ta përjashtuar atë.
Në oponencën e Bregut dhe Selamit mungonin disa gjëra gjithsesi: radha e përgjegjësisë, verifikimi i fakteve dhe pak imagjinatë.
Radha e përgjegjësisë kërkon që Qeveria duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe opozita të kontribuojë.
Faktet janë që afati i ri për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve nuk ështe ligjor. Është afati që Rama, nëpërmjet KQZ, e krijoji paligjshmërisht tani që nuk ka LSI-në në mes tij dhe PD, një ultimatum 48 orësh, për të trembur kë të mundë, e për të gënjyer kë të mundë. Nga kjo lëvizje date, u kuptua vetëm se si do ta përdorë Rama KQZ dhe Kodin Zgjedhor, pra u konfirmua njëra pjesë e akuzave të opozitës.
Tjetër fakt është që “Rama e pranoi propozimin e Mekallister dhe Flekenshtain për t’i dhënë opozitës 4 ministri, ndoshta edhe më shumë”.
- Këtu ka dy të pavërteta: E para nuk iu dhane opozitës 4 ministra, por iu dha mundësia të kërkonte largimin e 4-6 ministrave që të zëvendësoheshin me teknikë, pa u specifikuar kush do t’i propozonte. E dyta, Gramoz Ruci e tha në Parlament, Rama nuk e pranoi këtë propozim. Vetë Rama tha që pranoi vetëm të bisedohej rreth këtij propozimi, me kusht që opozita të votonte menjëherë ligjin e Vettingut dhe të jepte emrat në komisionet parlamentare.
Përtej fakteve, në këto momente të turbullta, më shumë mund të ndihmojë imagjinata. Sikur Edi Rama të pranonte Qeverinë Teknike, të pranonte edhe votimin e numërimin elektronik, të pranonte cdo kërkesë të opozitës dhe të futej në zgjedhje të lira e të ndershme. Rezultati (sugjerohet nga shumë faktorë), do të ishtë një fitore e aleancës së majtë, Rama do të konfirmohej me një proces të pakontestueshëm, opozita do ta pranonte rezultatin. 19 qershori do të ishte dita e parë e një mandati pa konflikt politik. Edi Rama do të ishte kryeministri i parë në historinë e pluralizmin që do të konfirmohej pa kontestime.
Dicka e pengon Edi Ramën që ta bëjë këtë.