Ditën e djeshme tre deputetë të Partisë Demokratike dolën haptazi me qëndrimet e tyre kundër vendimeve të kreut të opozitës Lulzim Basha. Njëri pas tjetrit Bregu, Selami dhe Topalli u shprehën se PD-ja duhet të hyjë në zgjedhje dhe t’i jepet fund bojkotit të Parlamentit.
Nga ana tjetër Basha nga protesta nuk dha një deklaratë të qartë në lidhje me këto qëndrime, duke mbështetur vendimin e djeshëm se zërat kundër në Parti nuk duhet të komentohen.
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij Basha u shpreh edhe më i vendosur në lidhje me vendimin për të mos hyrë në zgjedhje me këtë qeveri.
‘’Projekti kryesor i PD-së: Transferimi i politikës tek qytetarët. Në republikën e re ku nuk ka 140 deputetë ku 120 nuk u dëgjohet zëri, aty ku do mjaftojnë 100 deputet, secili do ketë zonën e vet elektorale. Harroje zonën, harroji qytetarët dhe shikoji kur të vijnë zgjedhjet. Kështu do shmangim këtë skenar të zymtë. Ai parlament nuk është.
Në Shqipëri parlamenti pushtohet nga qeveria. Fatet e parlamentarëve janë në dorën e kryeministrit. Kjo është republika e vjetër që do të vdesë dhe varroset një orë e më parë. Kush nuk e kupton këtë mision, duhet të hapë sytë dhe veshët mirë.
Kush më kërkon mua pazar me Edi Ramën, duhet ta kuptojë se ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se Partia Demokratike, se Lulzim Basha. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje në kauzën për betejën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, nuk ka e nuk do të ketë kthim. Kush mendon se ky është një presion i thjeshtë politik që PD të marrë ca koncesione, e ka plotësisht gabim. Dicka e madhe po ndodh në Shqipëri. Ky është momenti ku shqiptarët kërkojnë dhe do të marrin demokracinë e standardit të vërtetë’’, u shpreh Basha. (E.K/SHUPLAKA)