Vizita e Bashës në Washington u shoqërua me debate të shumta se me cilët përfaqësues të lartë ishte takuar lideri i opozitës.
Ndërkohë sot një portal amerikan i afërt me Trump shkruan se Basha është takuar me disa kongresmenë dhe u ka bërë të ditur shqetësimet e tij në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve.
”Breitbart News” shkruan se lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ka qenë të hënën në mbrëmje pjesëmarrës në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan të Kongresit, bashkë me presidentin Trump. Ky i fundit ka mbajtur fjalimin kryesor.
Breitbart jep edhe emrat e politikanëve të tjerë të lartë amerikanë me të cilët u takua Basha. Kështu, ndër të tjerë, shkruan media amerikane, gjatë vizitës në Uashington ai takoi kongresmenin Pete Session (Republikan -Teksas), kryetari i Komitetit të Rregullave të brendshme, kongresmenin Michale Mc Caul (Republikan- Teksas), kryetari i Komitetit të Sigurisë së Brendshme, dhe kongresmenin Ed Royce, (Republikan-Kaliforni), kryetari i Komitetit të Marrdhënieve me Jashtë.
Po ashtu thotë portali amerikan një nga shqetësimet që Basha ka ngritur është ndikimi i miliarderit Soros në Shqipëri dhe lidhjet e tij me Ramën dhe qeverinë e tij. Basha thotë për ‘’ Breitbart News’’ se Rama është investimi më i rëndësishëm i Soros në Ballkan.
Portali amerikan përmend gjithashtu dhe faktin se Rama ka qenë një nga kryeministrat e vetëm europianë që ka kundërshtuar ardhjen e Trump në pushtet.
“Shqipëria është një një situatë të veçantë dhe të vështirë, në një krizë politike, rezultat i një ofensive të krimit të organizuar ndaj të gjitha strukturave shtetërore, shtetit ligjor dhe demokracisë,” u shpreh Lulzim Basha, udhëheqësi i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Basha është ish-kryebashkiaku i Tiranës dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, Basha u shpreh se ai do të jetë kryeministri i ri i vendit. Në administratat e mëparshme Basha ka mbajtur pozicione të larta në qeveri, përfshi atë të ministrit të jashtëm.
“Problemi i bashkëpunimit të fshehtë mes politikës dhe krimit nuk është gjë e re në Ballkan,” u shpreh ai. “Por, problemi i veçantë që ka Shqipëria është promovimi i hapur dhe prania në politikë e njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale në të shkuarën e tyre, të dënuar në vendet e BE për trafik droge, prostitucion, trafik të qenieve njerëzore dhe vepra të tjera të krimit të organizuar”.
Bandat dhe grupet kriminale të lidhura me terroristë kontrollojnë ferma kanabisi dhe organizata të magazinimit dhe shpërndarjes së drogës, duke patur imunitet nga qeveria Rama, pohoi ai.
Në vitin 2016, BBC hodhi dritë mbi këtë çështje në një reportazh informativ të titulluar “Kryeqyteti europian i kanabisit”.
Ndërsa Basha ishte në Uashington në takime me drejtues të Kongresit, anëtarët e partisë së tij vazhdojnë për më shumë se 35 ditë një protestë kundër qeverisë të Kryeministrit Edi Rama duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Mes udhëheqësve politikë që Basha takoi gjatëvizitës në Uashington ishin kongresmeni Pete Sessions, Kryetar i Komisionit të Buxhetit të Kongresit; kongresmeni Michael McCaul, Kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kongresit; dhe kongresmeni Ed Royce, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.
Juristi i shkolluar në Hollandë mori gjithashtu pjesë të martën në darkën e përbashkët vjetore të kongresmenëve dhe senatorëve republikanë, ku Presidenti Trump mbajti fjalën kryesor.
Basha u takua gjithashtu me kongresmenin e Kalifornisë Dana Rohrabacher, anëtar me peshë i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar I Nënkomitetit për Europën dhe Euroazinë të Kongresit.
Një ndërlikim i mëtejshëm i situatës është se Rama ka marrëdhënie me financierin dhe agjentin provokator ndërkombëtar George Soros.
Basha u shpreh se ai beson që Rama është investimi kryesor i George Sorosit në Shqipëri dhe Ballkan.
Basha pohoi se mbështetja e tij për Presidentin Trump e kanë bërë shënjestër të përbaltjes nga organizata e Sorosit: “Jam sulmuar ashpër nga ai e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trumpit”.
Rama ka shërbyer si anëtar i bordit të Fondacionit Soros në Shqipëri dhe Soros ka financuar një program 2-vjeçar të hartuar për transformimin politik të vendit.
Senatori republikan Mike Lee është aq i shqetësuar për financimin nga programet e Departamentit të Shtetit të ndikimit të Soros në Shqipëri dhe vendet e tjera, sa ai i dërgoi më 14 mars një letër Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, të bashkëfirmosur nga senatorët James Inhofe, Tom Hillis, Ted Cruz, David Perdue dhe Bill Cassidy.
“Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të zgjedhur dhe udhëheqës politikë të vendeve të huaja më janë drejtuar me lajme dhe raportime zhgënjyese rreth aktivitetit të Shteteve të Bashkuara në vendet e tyre përkatëse,” shkruajti Lee. “Këto përfshijnë raportime mbi diplomatë që mbajnë anë politike, mbi mbështetje me fonde nga USAID të aktivitete ekstreme dhe ndonjëherë të dhunshme politike, si dhe mbi aktivitete të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të mënjanuar të moderuarit dhe konservatorët nga rolet drejtuese”.
Kryeministri shqiptar mund të jetë gjithashtu edhe drejtuesi më i spikatur anti-Trump në Europë. Edi Rama deklaroi në CNN se mundësia e Trumpit president ishte tmerruese.
Në prill 2016, Rama i tha Zërit të Amerikës:
“Besoj se ata në Shqipëri që zgjodhën Trumpin para meje, pavarësisht dallimeve mes tyre dhe meje, duhen mëshiruar. Mes Lulzim Bashës dhe Trumpit unë do të zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, ndonëse unë nuk do të votoja kurrë për Lulzim Bashën, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Sidoqoftë, nuk është problemi im që Lulzim Basha, apo kushdo tjetër, zgjedh Trumpin para meje. Eshtë problemi i tyre”.
Kongresmeni Rohrabacher, i cili u takua me Bashën në Uashington, i tha Breitbart News se ai e çmon patriotizmin dhe përkushtimin që shikon tek Basha.
“Ka arsye për të patur frikë për atë që po ndodh në Ballkan,” tha ish-fjalim shkruesi i Presidentit Ronald Reagan. “Stabiliteti në atë pjesë të Europës varet nga një Shqipëri e qëndrueshme dhe që funksionon. Ka një shqetësim serioz për korrupsionin, tregtinë e drogës dhe terrozimin në këtë vend të rëndësishëm”.
Kongresmeni u shpreh se Shqipëria është në vijën e parë të luftës kundër islamit radikal: “Nëse do ta mundim islamin radikal dhe do të kemi një Europë të qëndrueshme, na duhet dikush që merr përgjegjësi. Lulzim Basha, të cilin e njoh prej kohësh, është pikërisht personi i duhur për të përmbushur këtë mision”.
Basha tha se mesazhi i tij për popullin amerikan është se ata kanë investuar shumë për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe të hapur, gjatë 27 viteve të fundit.
“Tani, rreziku i krimit të organizuar dhe terrorizmit kërcënon rëndë një vend që ka humbur kontrollin e territorit dhe kufijve të tij për shkak të krimit të organizuar,” tha ai.
“Unë kërkoj ndihmën e Shteteve të Bashkuara për ta ruajtur këtë investim, në mënyrë që të përmbushim përgjegjësitë tona si vend anëtar i NATO-s” u shpreh ai.
(E.K/SHUPLAKA)
http://www.breitbart.com/big-government/2017/03/27/exclusive-albanian-opposition-leader-albanias-soros-affiliated-prime-minister-is-ruining-our-country/
Discussion about this post