Bajram Nela, banues në zonën e Laprakës, ku kalon një pjesë e gjurmës së Unazës së Madhe, thotë se vetëm dje banesa e tij është skualifikuar nga procesi i legalizimit, dhe sot kanë mbërritur fadromat për t’ia prishur shtëpinë.
Nela shprehet se dokumenti që ai ka marrë nuk ka logon e institucioneve dhe nuk mund të jetë i ligjshëm. Banori këmbëngul se ai nuk do të dalë prej aty së bashku me fëmijët e tij, pasi nuk kanë mundësinë e asnjë strehe tjetër.
Kryefamiljari tregon më tej se ai nuk do të dalë nga banesa edhe sikur fadromat ta zënë brenda, pasi ai në moshën 60-vjeçare nuk mund që të ndërtojë një strehë të dytë për fëmijët e tij.
‘’Qeveria shqiptare më ka dhënë 24 orë kohë që të dal nga banesa, dhe me një document të paligjshëm vijnë dhe më prishin shtëpinë këta. Ne do të qëndrojmë këtu deri në vdekje, këtu do të rrimë do të luftojmë deri në fund.
Unë sot jam 60 vjeç, smund të bëj dot më shtëpi tjetër, kam punuar 30 vite në administratë dhe nuk kam mundur që të vjedh dot që të ndërtoj më shumë. Unë jam banor dhe grup interesi dhe nuk jam pyetur lidhur me projektin. Vetëm dje jam njoftuar për këtë projekt, që do të më prishte banesën.
Banesa tjetër nuk ka qenë e banuar, ku t’i çoj unë fëmijët?! Ata që kanë vjedhur kanë nga 20 hyrje, unë skam tjetër. Për mua ka vdekje dhe asnjë gjë tjetër”, shprehet banori.
(E.K/FAXWEB.A.L)