Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, e cila do të jetë e fundit për këtë sesion parlamentar, ndërsa nuk dihet qëndrimi që do të mbajë opozita, nëse do të jetë e pranishme.
Në 17 pikat e rendit të ditës, është rifutur sërish për votim projektligji i shumëdiskutuar për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili kërkon 3/5 e votave.
Ligji në fjalë shkurt njihet si ligji i Magjistraturës dhe është kontestuar shumë nga opozita, e cila e konsideron si një mashtrim, atë që mazhoranca e ka sjellë si zgjidhje e vakumit në sistemin e drejtësisë.
Nga ana tjetër nuk dihet se pse pikërisht në një kohë kaq të shkurtër qeveria Rama kërkon që të testojë sërish forcat. Pak ditë më parë u përfol dhe mbi një mundësi të ‘’blerjes” së deputetëve të opozitës, apo në një bashkim forcash me LSI-në, edhe pse kjo e fundit ka mohuar çdo mundësi negociimi.
(E.K/FAXWEB.AL)