Një 16 vjeçar ka humbur jetën ditën e parë të këtij janari. Ngjarja ka ndodhur në Laç, në orët e para të këtij mëngjesi, raporton Fax News. Shtetasi i mitur K.GJ., 16 vjeç është gjetur i pajetë nga familjarët e tij, pak minuta pasi doli në tarracën e shtëpisë për të plasur fishekzjarre. Sipas Fax News, dyshohet se i mituri të jetë vrarë nga ndonjë plumb qorr, pasi në qytetin e Laçit janë rikthyer breshëritë e plumbave si në vitin 1997.
NJOFTIMI I POLICISE
Kurbin
Informacion paraprak
Me datë 01.01.2018, rreth 01:00 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Laç, është dërguar nga familjarët pa shenja jete, shtetasi i mitur K.Gj. 16 vjeç, banues në Sanxhak – Kurbin.
Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se ky shtetas ka hipur në tarracë të shtëpisë për të plasur fishekzjarre, dhe është gjetur më pas nga familjarët në tarracë , pa shenja jete me një dëmtim në kokë.
Pritet ekspertiza mjeko – ligjore për përcaktimin e llojit të dëmtimit në kokë.
Grupi hetimor në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin , po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(F.M/Faxweb)