Dhoma e Lordëve britanikë miratoi sot një amendim të projektligjit për Brexit duke i dhënë Parlamentit pushtetin për të penguar qeverinë të dalë nga Bashkimi Europian në mungesë të marrëveshjes me Brukselin.
“Dhoma e Lordëve, me mazhorancë pro-BE-së, miratoi me 335 vota pro dhe 244 kundër, një përmirësim të projektligjit për daljen nga BE duke i dhënë Parlamentit pushtetin për të penguar qeverinë të dalë nga Bashkimi Europian në mungesë të marrëveshjes me Brukselin”, – deklaroi Lordi konservator, Douglas Martin Hogg, një prej nënshkruesve.
Qeveria konservatore e Theresa May-t kishte theksuar më parë se do t’ia linte Parlamentit të votonte për marrëveshjen e divorcit. Por, në rast refuzimi, e vetmja mundësi ishte një dalje pa marrëveshje, një perspektivë që shqetëson në mënyrë të veçantë kompanitë britanike, shkruan atsh.
“Amendamenti i miratuar sot u jep parlamentarëve mundësinë për të sugjeruar negociata të reja, mundësinë për të vendosur për një qëndrim në BE”, theksoi Lordi konservator, Douglas Martin Hogg.
Kujtojmë që pak kohë më parë Dhoma e Lordëve e vuri në një pozitë të vështirë kryeministren britanike, Theresa May pas votimit të një amendamenti që vë në pikëpyetje projektin e saj për tërheqjen nga bashkimi doganor, me rastin e shqyrtimit të tekstit të ligjit për Brexit.
Ky amendament, i mbështetur nga anëtarë të mazhorancës, të opozitës laburiste dhe të qendrës u miratua gjatë pasdites në Dhomën e Lartë të Parlamentit me 348 vota pro dhe 225 kundër.
Konkretisht, ai përfshin në projektligj mundësinë e Britanisë së Madhe për të qëndruar në unionin doganor, ndërsa qeveria konservatore është angazhuar të tërhiqet nga tregu i përbashkët, për të mundësuar kontrollin ndaj imigracionit dhe për të ndërmarrë lirshëm negociata tregtare me pjesën tjetër të botës.
Por një proces divorci me këto kushte nxit shqetësimin në lidhje me pasoja të mundshme mbi ekonominë dhe paqen në Irlandën e Veriut, në rast të vendosjes së një kufiri me Republikën e Irlandës. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post