Theresa May ka bërë të ditur se është e “fokusuar” për të larguar Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian me 29 mars, pavarësisht se partia e saj si dhe BE kërkon që të ketë shtyrje.
Kryeministrja tha se liderat e BE janë të vendosur për të gjetur një marrëveshje e cila do ecë mirë dhe pa probleme për të gjitha palët. Por kryeministri holandez, Mark Rutte paralajmëroi May-n se Anglia po merr pjesë në një skenar të paprecedent dhe se duhet të “zgjohet”.
May pranoi se ka ende shumë gjëra për të bërë përpara se parlamenti të votojë planin e saj final. “Britania e Madhe do të largohet nga BE në 29 Mars, me apo pa marrëveshje” është shprehur kryeministrja.
Që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE ajo duhej të zbatojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës i cili u jep dy vjet kohë palëve që të bien dakord mbi kushtet e ndarjes. Theresa May e filloi këtë proces më 29 mars 2017, që do të thotë që Britania e Madhe planifikon të largohet ditën e premte, më 29 mars 2019, në orën 11 (zona kohore UK). Një gjykatë evropiane ka vendosur që Britania e Madhe mund të vendosë ta ndalë procesin dhe të qëndrojë në BE në çfarëdo kohe deri në afatin e fundit.
Alternativisht, procesi mund të zgjatet nëse të gjithë 28 anëtarët e BE-së bien dakord. Por në këtë moment të gjitha palët po përqëndrohen në atë datë si kyçe, dhe Theresa May e ka implementuar në ligjin britanik.
Rëndësia kryesore e marrëveshjes midis Britanisë së Madhe dhe BE-së është të sigurojnë një dalje sa më të qetë nga BE për bizneset dhe individët – dhe të japë kohë që të dyja palët të arrijnë një marrëdhënie tregtare të përhershme. Por procesi mund të përfundojë dhe pa marrëveshje nëse palët nuk bien dakort, pra no-deal Brexit. Kjo do të dëmtonte menjëherë të gjitha lidhjet me BE, pa periudhë tranzicioni dhe pa garanci mbi të drejtat e qytetarëve rezidentë.
Qeveria angleze i frikësohet këtij skenari sepse do shkaktonte dëm të jashtëzakoshëm në biznese, importe dhe eksporte që do sillte mungesa ushqimi, medikamentesh dhe të mirash materiale për qytetarët britanikë.
Por mbështetësit e kryeministres May thonë se Brexit pa një marrëveshje nuk është një gjë aq e keqe sa deklarohet dhe se do t’i kursente Britanisë një çmim “divorci” me BE që kap shifrën 39 miliardë paund dhe se do t’i jepte të drejtën të për të përfituar maksimalisht nga tregtia e saj në Botë.