Qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe kërkuan mbrëmë një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, në një deklaratë të përbashkët, duke i bërë thirrje gjithashtu Izraelit të rivendoste aksesin humanitar, sipas “Reuters”.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të sigurojë aksesin humanitar, përfshirë ujë dhe energji elektrike, dhe të mundësojë hyrjen në kujdesin mjekësor dhe evakuimet mjekësore të përkohshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thanë ministrat e Jashtëm të tre vendeve, të njohur si E3.
Ata shprehën tmerrin e tyre për numrin e viktimave civile dhe kërkuan që militantët palestinezë të Hamasit të lirojnë pengjet izraelitë. Ministrat theksuan se konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve nuk mund të zgjidhej përmes mjeteve ushtarake dhe se një armëpushim afatgjatë ishte rruga e vetme e besueshme për arritjen e paqes.
Ata shprehën gjithashtu shqetësimin e thellë për incidentin që preku ndërtesën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) në Gazë dhe kërkuan një hetim të plotë të këtij incidenti.