Britania e Madhe ka vendosur që të mbyllë të gjitha “korridoret e udhëtimit” duke nisur nga dita e hënë për tu mbrojtur nga infektimi me variante të paidentifikueshme. Kryeministri britanik ka theksuar se çdo person që niset drejt Britanisë duhet të tregojë rezultate negative në testin e koronavirusit para udhëtimit.
Ky vendim për të hequr masat lehtësuese dhe për të kthyer në fuqi vetëkarantimin për 10 ditë, erdhi pasi dolën raste të reja me një variant të ri të paidentifikuar në Brazil.
Boris Johnson tha se rregullat e reja do të ishin në fuqi të paktën deri në 15 shkurt. Duke folur në një konferencë shtypi në Downing Street, ai tha: “Është jetike të merren këto masa shtesë tani kur dita-ditës po bëjmë hapa të tillë në mbrojtjen e popullsisë.”
Mbyllja e “korridoreve të udhëtimit” nënkupton që njerëzit që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të bëjnë karantinë deri në 10 ditë.
Korridoret e udhëtimit u prezantuan në verë për të lejuar njerëzit që udhëtojnë nga disa vende me numër të ulët të rasteve të Covidit të vijnë në Britaninë e Madhe pa u futur në karantinë. (A.M/Faxweb.al)