Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi, që do t’i paraqitet Uashingtonit, tha të dielën Kryeministri britanik Keir Starmer, ndërsa organizon një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve evropianë për të diskutuar dhënien fund të luftës.
Kritikat e Presidentit Donald Trump ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë të premten kanë hedhur hije mbi takimin e nivelit të lartë në Londër, por Kryeministri Starmer tha se vazhdon të jetë i përqendruar që takimi sotëm të shërbejë si një urë lidhëse për rikthimin e bisedimeve të paqes.
Ai tha se do të shfrytëzonte krisjen në negociata si një mundësi për t’u angazhuar përsëri me udhëheqësit Trump, Zelenskyy dhe Macron, në vend që të “përforconte retorikën”.
“Tani kemi rënë dakord që Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Francën dhe ndoshta një ose dy vende të tjera, të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet, dhe më pas do ta diskutojmë atë plan me Shtetet e Bashkuara”, tha Kryeministri Starmer për televizionin BBC.
Që nga e premtja, Kryeministri Starmer dhe Presidenti Macron kanë biseduar dy herë në telefon me Presidentin Trump.
Takimi i së dielës, një hap i rëndësishëm
Takimi i Londrës ka marrë një rëndësi më të madhe në përpjekjet për mbrojtjen e Ukrainës dhe kontinentit.
Takimi i nivelit të lartë ka të ngjarë të përfshijë bisedime për krijimin e një force ushtarake evropiane që do të dërgohet në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim të mundshëm.
Kryeministri Starmer tha se ai nuk i beson Presidentit rus Vladimir Putin, por i beson Presidentit Trump.
“A i besoj Donald Trumpit kur thotë se dëshiron paqe të qëndrueshme? Përgjigja për këtë është po”, tha ai.
Kryeministri Starmer tha se ka “diskutime intensive” për të marrë një garanci sigurie nga Uashingtoni, si një nga tre elementët për një paqe të qëndrueshme.
“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja e mundshme do të ishte një ndërprerje e përkohshme e luftimeve dhe më pas [Presidenti rus Vladimir] Putini të kthehej përsëri”, tha zoti Starmer.
“Kjo ka ndodhur në të kaluarën, mendoj se është një rrezik real, dhe kjo është arsyeja pse duhet të sigurohemi që nëse do të ketë një marrëveshje, ajo të jetë e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme”, shtoi ai.
Takimi i nivelit të lartë në Lancaster House, një rezidencë elegante 200-vjeçare pranë Pallatit Buckingham, pason një fushatë takimesh javën e kaluar për t’u angazhuar me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe për ta vendosur Ukrainën në qendër të negociatave.
Takimi i nivelit të lartë do të përfshijë gjithashtu udhëheqës nga Franca, Gjermania, Danimarka, Italia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Spanja, Kanadaja, Finlanda, Suedia, Republika Çeke dhe Rumania. Në takim marrin pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, shefi i politikës së jashtme turke dhe presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.