Banka e Shqipërisë ndau sot 3 çmimet për diplomat më të mira ekonomike të këtij viti, ku studentët kishin bërë punë kërkimore mbi politikën monetare, marrëveshjet tregtare dhe përdorimin e teknologjisë në sektorin financiar. Në ndarjen e çmimeve Guvernatori bëri edhe një panoramë të ngjarjeve ekonomike më të rëndësishme të vitit.
Edhe lëvizjet e Politikës Monetare që bëjnë bankat qendrore mund të ndikojnë në reduktimin e nivelit të papunësisë, pasi çdo lëvizje e politikës është një orientim për të ardhmen. Ky ishte edhe studimi shkencor i studentit Markelian Blacëri në nivelin Master në Universitetin e Padovës që mori çmimin e Guvernatorit për ‘Diplomën më të Mirë për vitin 2024’.
“E them me kënaqësi se temat përputhen me pritshmëritë tona dhe përmbushin karakteristikat më të mira të një pune shkencore” u shpreh Guvernatori.
Në ndarjen e çmimeve për tre diplomat më të mira të vitit për punime kërkimore në financë, ekonomi e teknologji, Guvernatori Gent Sejko bëri edhe një panoramë të situatës ekonomike të vendit, ku fokusin e vuri tek anëtarësimi në SEPA dhe Open Banking.
“Integrimi në SEPA do të lehtësojë kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët – një hap i rëndësishëm ky drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, në linjë me rregulloret e BE-së, Banka e Shqipërisë ka avancuar në implementimin e bankingut të hapur, duke nxitur përdorimin e platformave digjitale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur për klientët dhe bizneset.
Bankingu i hapur do të mundësojë akses më të gjerë dhe transparent në shërbimet financiare për të gjithë popullsinë. Ky zhvillim është pjesë një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë. Të dyja nismat synojnë të përmirësojnë përfshirjen financiare, duke shërbyer drejtpërdrejt në reduktimin e nivelit të informalitetit dhe si rrjedhojë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme afatgjatë”, tha Sejko.
Viti 2024 tha Guvernatori po mbyllet me rezultate pozitive ekonomike dhe me ulje inflacioni.
“Ky rikthim i stabilitetit të çmimeve është shoqëruar me lehtësim të kostove të jetesës së familjeve dhe rritje të investimeve të bizneseve”, tha Gent Sejko.
Ecuria ekonomike pozitive u shpreh guvernatori do të vijojë edhe në vitin 2025, ku pritshmëritë janë për rritje në 3.5 deri në 4%.