Kredia për ekonominë arriti në rreth 332 miliardë lekë në fund të 11 mujorit të këtij viti, duke shënuar rritje me 21,2 % kundrejt 11 mujorit 2023, sipas të dhënave në Raportin e Statistikave publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, kreditimi vijon trendin në rritje të qëndrueshme, ku dominon huadhënia për sipërmarrjet dhe biznesin kryesisht në monedhën vendase, nxitur nga politika monetare lehtësuese.
Në 11 mujorin e këtij viti bankat tregtare dhanë 234 miliardë lekë kredi për biznesin. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kredia për biznesin është rritur me rreth 29 %.
Në kredinë për sipërmarrjet kryeson kredia për pasuritë e paluajtshme, më pas vijon ajo e ndërtimit dhe turizmit. Sipas BSH-së me trend rritje u shfaq edhe kreditimi i individëve. Huadhënia për individët gjatë 11 mujorit 2024 arriti në shifrën e 94,2 miliardë lekë. Me bazë vjetore, kreditimi i individëve u rrit me 14,2 %.