Nga Flutura Açka
Një mikesha ime holandeze, një grua e dashuruar me Shqipërinë, sapo ka vizituar Tiranën. Që të mos i mbeteshin merak pa parë edhe ‘perfomancat’ e reja arkitekturore nëpër kryeqytetin tonë, kishte shkuar edhe në Bunk’Art 2. Unë po sjell diçka nga shqetësimi i saj, sepse vetë nuk kam ndonjë dyshim për sjelljen e shkujdesur të përjetshme tonën ndaj historisë. Ajo më nisi këtë foto, të cilën e njihja, por një Zot e di se përse duhet të ekspozohet në një muze që kërkon të dëshmojë krimet e komunizmit. Unë po merrem vetëm me këtë foto dhe po e “qep” me urdhërin publik të Kryeministrit tim të dashur – i cili sakën se pranon ndonjë vërejtje – për pjesën tjetër të Bunkerit, sa kohë nuk e kam vizituar atë.
Nëse specialistët kuratorë të të tillë muzeve dhe historianët, thonë se është punë e mirë, projektuesit e tij kanë të gjithë komplimentat e mia. Fundja më mirë pak, se hiçpak. Por të tillë kuratorë e historianë, si të gjithë nëpunësit e trembur shqiptarë, kanë frikë të flasin, sepse mund edhe të humbin punën. Madje druaj se lënia e Muzueut Historik Kombëtar pa investime, duke hequr e vënë drejtorë sipas oreksit o qejfmbetjes së dikujt nga kritikat edhe më të vogla, duke ia zënë hyrjet dhe penguar aktivitetin me muaj të tërë ndërtime, për të prishur edhe nja dy parqe të vegjël rrotull tij e për ta rrethuaj me linesa të vegjël vetëm e vetëm për prishur linesin e madh të Bashës (punë politike edhe këto), kanë qenë strategji vetëm për të fokusuar interesin e turistëve në muzera të ideuara dhe të ndërtuara enkas privatisht, edhe pse në një pronë publike. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit tim.
Ndaj dyshoj, sepse dryshe nuk ka si shpjegohet përse ai bunker nuk iu dha për t’u ndërtuar dhe administruar ayre që u takonte, ish-të përndjekurve politikë. Them se dyshoj, sepse nuk ka si shpjegohet se përse ai nuk ështe fokusuar ekskluzivisht në genocidin shqiptar, por në historinë shqiptare, gjë që dublon punën e vyer të Muzueut Historik Shqiptar.
Dhe kjo foto është një dëshmi e kësaj që po them. Njëlloj dyshoj edhe në trajtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Duke vënë në krye të saj një dikë të bindur dhe të pazëshëm, duke ia zënë sytë me “Renë” e famshme – a thua se nuk kishte shesh tjetër ku të vihej kjo vepër – Galeria Kombëtare e Arteve është paralizuar plotësisht, njëlloj si në kohën e kthimit të shëtitores ngjitur me të në qebabtore publike. Por këtë radhë dyshoj se me të vetmin qëllim, që t’i jepet spikamë si qendra e botës sonë artistike, krijesës ekskluzive të Edi Ramës, qendrës COD. As këtu nuk ka asgjë të keqe, sa kohë nuk minon punën e institucioneve të tjera artistie që kanë nevojë të mbijetojnë.
Gjithçka tani ka nisur të bëhet aty, te COD, madje ditët e fundit edhe një aktivitet kundër genocidit komunist e pikërisht nga një qeveri që në mitingun e saj të parë ligjëroi publikisht fotot e Enver Hoxhës, shenja e parë e talljes me ish-të burgosurit dhe shenja e parë e rehabilitimit të diktaturës, e cila tani është ulur këmbëkryq, po këtë radhë me kollare të shndritshme dhe që për sillë nuk ka trahananë me rigon përsipër të Enver Hoxhës, por kosin bio. Fotoja në fjalë është një kartolinë ikonë e Marubit, e shkrepur më 30 nëntor të vitit 1913 në studion e Marubit në Shkodër. Shkujdesja në foto është e dukshme, mjaft të shikosh diçiturën e saj, pasi vetëm të google-osh për foton e gjen menjëherë se kush janë personazhet e saj: Ethem bej Vlora (i biri i Ismail Qemalit), Gjenerali De Veer (Drejtuesi i Misionit Holandez të paqes në Shqipëri), Kolonel Thomsoni (zëvendësi i De Veer) dhe Meleq bej Frashëri. Dhe mbi të gjitha një foto e Marubit. Në Shkodër, ku ndaluan gjatë turit e tyre nëpër Shqipëri, dy oficerët e lartë holandezë të ngarkuar për të bërë rikonicionin e vendit dhe për të konkluduar mbi mundësitë e ngritjes së xhandarmërisë shqipare në funksion të princërimit të Princ Vidit, takuan mes të tjerash në Hotel De Ville edhe Bajram Currin dhe dërgatën që e shoqëronte.
Sigurisht nuk mund ta linin pa bërë edhe këtë foto historike, e cila sot ekspozohet në një muze në qendër të Tiranës me një shkujdesje të papranueshme. Unë nuk e di kush është marrë personalisht me kurimin e kërij muzeu, por mendoj se kjo hollësi nuk duhet t’i kishte shpëtuar, sepse fyen çdo turist holandez që di sadopak për lidhjet e historisë shqiptare me Holandën, por edhe çdo shqiptar që ka respekt per historinë e vendit të vet. Gjithsesi kam dëshirën e mirë ta quaj një gabim të rastit, dhe jo një gjë të qëllimtë, por edhe si e tillë ajo është e pafalshme dhe autorët e këtij muzue, e kanë për detyrim të bëjnë ndreqjen e duhur, të paktën në respekt të autorit të saj, Marubit. Por jo vetëm për këtë. Oficeri i lartë të cilit nuk i përmendet emri, Gjenerali De Veer, është drejtuesi i Misionit Holandez të Paqes 1913-14 në Shqipëri, është njeriu të cilit ne si shqiptarë i detyrohemi shumë, njeriu që organizoi mbrojtjen nga plaçkitjet, djegiet, dhunimet dhe shkretimet e grekëve në jug.
Vetëm prej dokumentimit të Gjeneralit De Veer ne kemi sot dhe të dhëna të sakta për masakrën greke në kishën e fshatit Kodër në pranverë të vitit 1914. Një ushtarak dinjitoz dhe i përkushtuar, të cilin për arsye të pashpjegueshme, nuk e kemi vlerësuar aq sa duhet. Siç mëton edhe kjo foto. Kolonel Tomsoni ngjitur tij, i cili mbeti i vrarë në Shqipëri, në rrethana krejt të paqarta, me gjithë propagandën e shfrenuar italiane për ta shitur si vrasje shqiptare, është vetëm zevëndësi i tij, që shpeshherë, siç edhe po tregojnë shumë e më shumë nga botimet në Holandë të së vërtetës historike të njëqind viteve me parë, e ka minuar punën e Gjeneralit De Veer. Gjithsesi, pa cënuar asgjë nga miti i kolonel Tomsonit, mendoj se ka ardhur dita që Cezarit t’i jepet ç’Çezari meriton. Të paktën t’i vihet emri Gjeneralit De Veer aty ku ai ekspozohet me pretendimin e evokimit të historisë së Shqipërisë. Sa për kujtesë, në kohën kur De Veer kujdesej të mbronte kufijtë tanë jugorë – pa e ditur se koloneli i tij i dashur, Tomsoni ynë legjendar, e kishte mbaruar marrëveshjen mbi Vorio Epirin me Karapanosin në Korfuz – Tomsoni mblidhte çimkat që gjente në dyshek dhe në dhomën e tij në Konakun e Vlorës për t’ia postuar së bijës si specie në zhdukje në Holandën e tij dhe që ai i kishte gjetur në një vend ku kishte shkuar për shërbim ushtarak.
Nuk e dimë nëse çimkat u ekspozuan në orën e biologjisë në Holandë, por dimë që Gjenerali de Veer, i cili u mor me çimka me dy këmbë që po e kafshonin Shqipërinë, njihet fare pak, ose aspak në Shqipëri. Nuk dua të them me këtë se ky është komplot italian i nisur 100 vite më parë, gjë që nuk është ndonjë çudi, përderisa kalibri i plagës së plumbit në trupin e Tomsonit është zbuluar se i takon një arme shumë më të sofistikuar perëndimore që mbanin më së shumti ushtarët e diplomatëve nga përtej detit, se sa të shallvareve të plebejve shijakas, të cilët kanë plot mbrapështi për t’u akuzuar. Ndaj që të mos mbajë erë të njëqind viteve më parë, të këtij konspiracioni kundër të vërtetave historike, dhe të mos u kujtojë shqiptarëve fajin “e pabërë” njëqindvjeçar, do t’i isha lutur njerëzve që merren me Bunk’Art 2 të bënin përmirësimin e diçiturës së fotos, dhe veçmas në nderim edhe të Marubit, dhe mundësisht të mbajnë tek ai desku i tyre edhe një kartvizitë të Muzeut Marubi, i cili na nderon, për hir të së vërtetës, shumë më shumë se çdo histori bunkerësh e izolimi që kemi patur, dhe kemi ende, me bollëk.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1675″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]