Në ish-Burgun famëkeq të Spaçit po kryhen punime që synojnë konservimin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist në vendin tonë, por këto ndërhyrje sipas ekspertëve po cenojnë identitetin e objekteve. Nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale aktivistët kanë bërë thirrje për reagim qytetar në lidhje me rikonstruksionin që po kryhet në ish-Burgun e Spaçit, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Sipas dy aktivisteve dhe eksperteve, Sidorela Vatnikaj dhe Eltjana Shkreli, projekti po shkatërron dhe po humbet vlerat e memories së Burgut të Spaçit, një ish-institucion i vuajtjes së dënimit gjatë komunizmit dhe i kthyer në muze një vit më parë. “Siç shihet qartë, ky është një projekt shkatërrimi dhe jo ruajtje. Godina në të majtën time e ka humbur totalisht funksionin e vet, si dhe identitetin”, është shprehur Sidorela Vatnikaj, me anë të një video të postuar nga Burgu i Spaçit.