Një nga predikimet e Imamit të njohur në vend Elvis Naçit ka nxitur shumë debat në rrjet. Teksa po predikonte për martesën dhe tradhëtinë ai theksoi se femra është ajo që kur nuk e mban veten, mashkulli detyrohet ta tradhëtojë.
“Po shkoi një femër 150 kile…ah mbaroi familja. Thonë ca s’e kam mbajt veten këto kohë, mirë se e ke femra që mbajnë veten jashtë familjes, mos u mërzit, se s’e ka të vështirë me të tradhtu. Sot është bërë e lehtë fare.”, u shpreh Naçi ndër të tjera. Po kështu Imami theksoi se femra në krevat duhet të jetë e devotshme për burrin pasi zoti solli në tokë si xhenet për të.
Për këtë video të publikuar ka reaguar ashpër në një shkrim edhe Mero Baze i cili thekson se “një imam që bën deklarata të tilla, ose së paku që kuptohet që nuk është në anën e grave, duke nxitur inferioritetin e tyre para burrave, është një përdhunues publik, që duhet dënuar, pasi nxit dhunën ndaj tyre dhe frymëzon breza të tërë injorantësh në këtë drejtim”.
Më tej ai thekson se imamët po sillen në publik më shumë si maniakë seksualë, se sa si klerikë.
“Ata ngjallin më shumë kuriozitet për seksin e dhunshëm dhe rrahjen e grave se sa për Zotin. Dhe ndaj tyre nuk duhet reaguar vetëm me fjalë! Por me aksione ligjore, me përballje me drejtësinë dhe mbi të gjitha, me krijimin e një mjedisi të padurueshëm për ta, në shoqërinë shqiptare.”, shprehet Baze.
Sjellim në vëmendje që vetëm që ditë më parë reagoi vetë Imami i cili u shpreh se video e tij ishte keqkuptuar.
SHKRIMI I PLOTË:
Elvis Naçi është një imam i ri që pëlqehet nga të rinjë myslimanë në Tiranë. Në dallim nga disa imamë nga Kosova, që kur flasin për gratë, duken sikur i ke nxjerrë nga ndonjë shpellë prehistorike, ky dukej më normal dhe më i ndjekur nga të rinjtë. Derisa foli dhe ky për gratë!
Prej 24 orësh në rrjet po qarkullojnë disa deklarata të tij dhe disa përpjekje po të tij, për t’i interpretuar ato, të cilat në thelb zbulojnë më së paku kompleksin që kanë imamët për të na mësuar gjëra rreth grave, dhe mënyrës se si të dominojmë ndaj tyre.
Krahasuar me disa deklarata të imamëve të Kosovës, që janë vepra të pastra penale, kjo e imam Elvisit (ky ka problem dhe me emrin si imam) ishte më e lehtë, por pika e nisjes është e njëjtë, dhe ka të bëjë me mënyrën se si klerikët myslimanë në shoqërine tonë, përpiqen të bëhen popullorë, duke na dhënë leksione kundër grave.
Kjo, përveçse është shumë primitive, turpëruese, burracake dhe e pështirë si mënyrë sjellje, duhet të fillojë të jetë dhe vepër penale.
Imamët janë njerëz me ndikim, që ndiqen nga mijëra njerëz për shkak të besimit fetar dhe predikimeve fetare të tyre. Por Shqipëria dhe Kosova, janë vende laike, sekulariste, ku feja është e ndarë nga shteti dhe klerikët janë të barabartë para ligjit, si çdo qytetar tjetër.
Në këtë vend të padisin në gjyq, po the ndonjë fjali me dy kuptime për LGBT, dhe mirë bëjnë, por kur ngrihen disa imamë shpellarë dhe bëjnë thirrje të hapura jo vetëm diskriminuese, por dhe poshtëruese ndaj femrave, ata maksimalisht ofendohen në rrjete sociale, por nuk ka asnjë veprim ndaj tyre.
Poshtërimi publik i gruas, sidomos nga njerëz me ndikim për shkak të funksioneve religjioze, është një lloj keqpërdorimi i pushtetit, biles me keq se keqpërdorimi i pushtetit politik për të njëjtën çështje.
Një imam që bën deklarata të tilla, ose së paku që kuptohet që nuk është në anën e grave, duke nxitur inferioritetin e tyre para burrave, është një përdhunues publik, që duhet dënuar, pasi nxit dhunën ndaj tyre dhe frymëzon breza të tërë injorantësh në këtë drejtim.
Në Kosovë janë ndaluar dy vjet më parë rreth 20 klerikë myslimanë për lidhjet e tyre me grupe islamike radikale e terroriste, por kjo është ana e thjeshtë e problemit. Ana më e ndërlikuar e problemit, është se klerikë të tillë, po e instalojnë islamin radikal si stil jetese dhe si kulturë të shoqërisë, dhe për këtë nuk duhet heshtur.
Ata po sillen në publik më shumë si maniakë seksualë, se sa si klerikë. Ata ngjallin më shumë kuriozitet për seksin e dhunshëm dhe rrahjen e grave se sa për Zotin. Dhe ndaj tyre nuk duhet reaguar vetëm me fjalë! Por me aksione ligjore, me përballje me drejtësinë dhe mbi të gjitha, me krijimin e një mjedisi të padurueshëm për ta, në shoqërinë shqiptare.
(J.V/Shuplaka)