Ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është diskutuar dhe rikthimi në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Tiranës i Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.
Valikaj Ii ishte drejtuar Gjykatës Administrative në Tiranë, me qëllim kundërshtimin e vendimit të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili në 2015 refuzoi të dekretojë Valikaj nga oficer të Policisë Gjyqësore në Prokuror.
Dy anëtarë të KLPsë kanë kërkuar pezullimin e vendimit deri në verifikimin e rastit në fjalë, ndërsa rikthimi i tij në detyrë është kushtëzuar me procesin e Vetingut.
Në rast se ky proces do të kalohet Valikaj do të kthehet në detyrë në Prokurorinë e Tiranës, në të kundërt do të përjashtohet nga organet e drejtësisë, të paktën për 10 vitet e ardhshme.
K;shilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 6 vota pro dhe 4 kundër ( Kostaq Beluri, Nurihan Seiti, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi) kërkesën e Bledar Valikaj për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit nr.309 dt.06.02.2019.
Njoftim mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Seancën Plenare të datës 25 Mars 2019
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në mbledhje plenare për shqyrtimin e kërkesës së Bledar Valikaj për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit nr.309 dt.06.02.2019.
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i Këshillit të Lartë të Prokurorisë paraqiti nëpërmjet relatorit Sandër Beci relacionin dhe projekt-vendimin“Për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatit për prokuror Bledar Valikaj” të hartuara nga ky komision.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 6 vota pro dhe 4 kundër ( Kostaq Beluri, Nurihan Seiti, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi) kërkesën e Bledar Valikaj për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit nr.309 dt.06.02.2019. Anëtarët të cilën votuan kundër argumentuan vendimin e tyre me propozimin për pezullim të marrjes së një vendimi para ndjekjes së hapave të tjerë gjyqësor.
Në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës dhe nenin 35/1/c të ligjit nr.96/2016 “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në zbatim të vendimit nr.309, datë 06.02.2019 të Gjykatës Administrative të Apelit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të fillojë procedurën e verifikimit të pasurisë dhe të figurës të kandidatit për prokuror Bledar Valikaj. Ngarkohet administrata e Këshillit që, jo më vonë se dy ditë pune nga dita e miratimit të këtij Vendimi, të hartojë dhe të përgatisë pëR firmën e Kryetarit të Këshillit, shkresat të cilët iu drejtohen institucioneve të parashikuara në nenin 32/2 të Ligjit për nr.96/2016 ”Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatit.
Institucionet e ngarkuara nga ligji me detyrën e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për prokurorë janë të ftuara të kryejnë verifikimet e nevojshme jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së shkresave.
(E.K/FAXWEB.AL)