Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka shpërndarë sot bursat për 2.228 nxënësit më të mirë e të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës, gjatë vitit të kaluar shkollor.
Sipas kryebashkiakut, ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe finalizim i një prej nismave të para të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për të promovuar drejtuesit e së ardhmes.
“Duke investuar tek ata që janë me të gjitha 10-a në mësime, besoj se mund të bëjmë shumë më shumë gjëra për qytetin, se sa kur nuk i inkurajojmë ata. Kjo është arsyeja pse kemi marrë vendime si rikthimi i bursës së ekselencës, jo për të kënaqim ata që shpifin dhe bërtasin, por për të investuar për gjeneratën tjetër. Ka shumë njerëz që thonë: “Ç’ke që merresh me këto punë me fëmijët sepse ata nuk votojnë!”. Por, besoj se kemi ardhur këtu sot jo për të bërë llogaritë e zgjedhjeve të radhës, por llogaritë për gjeneratën tjetër, që është gjenerata juaj”, tha Veliaj.
Gjatë kësaj ceremonie, kreu i Bashkisë tha se investimet po bëhen në mënyrë që t’I shërbejnë gjeneratës tjetër. Ai u kërkoi ndihmë të rinjve që të bëhen pjesë e çdo nisme të bashkisë, që mund ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë.
“Unë dua që secili prej jush të kuptojë që ky qytet nuk është i imi, ky qytet nuk është i bashkisë, as i gjeneratës që shkoi, ky qytet është në duart tuaja sepse ky qytet është qyteti juaj! Duke qenë se është qyteti juaj dua që secili prej jush të na ndihmojë për shumë gjëra të rëndësishme në qytet. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qytet të pastër, ndaj dua të falenderoj të gjithë ata vullnetarë nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme që na kanë ndihmuar me procesin e pastrimit të qytetit, që kanë qenë vullnetarë dhe na kanë ndihmuar se si ndahen plehrat, se si sot kemi qytetin më të pastër në Republikën e Shqipërisë”, tha Veliaj.
Në këtë takim mon pjesë edhe mësues, prindër dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore në kryeqytet. (D.D/Shuplaka)