Ministri i Jashtëm Bushati u shpreh sot nga samiti i ministrave të Jashtëm të BE-së që po mbahet në Maltë se Maqedonia nuk mund të ketë miq më të mirë se shqiptarët.
Për European Western Balkans, ministri Bushati u shpreh i shqetësuar për dhunën e djeshme në Maqedoni.
Sipas Bushatit, këto janë përpjekje për të transformuar krizën aktuale të demokracisë në një krizë ndëretnike.
“Ju kurrë nuk do të gjeni një fqinj më miqësor ndaj Maqedonisë sa Shqipëria. Një fqinj që kurrë nuk ka vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Maqedonisë, as gjuhën, as identitetin e saj, siç mund të kenë bërë fqinjët e tjerë. Ne i kemi nxitur gjithmonë autoritetet në Maqedoni që të krijojnë një klimë më të mirë ndëretnike në vend, e cila është e nevojshme, jo vetëm për stabilitetin demokratik të Maqedonisë, por edhe për rrugën e saj euroatlantike”- deklaroi Bushati.
Ai tha po ashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në gjendje të bllokojnë njëri-tjetrin, sepse asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është anëtar i BE-së. (M.D/Shuplaka)