Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka mirëpritur sot homologun e tij malazez Darmanovis. Pas një takimi kokë më kokë, dy ministrat e vendeve fqinjë kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku parashtruan çështjet që ishin në fokus të këtij takimi.
Ministri shqiptar Bushati vlerësoi kontributin e Malit të Zi në Shqipëri dhe bëri me dije se dy vendet do të rrisin bashkëpunimin mes tyre me investime të reja që do të bëhen, siç është ai i krijimit të pikave të reja kufitare.
“Kemi diskutuar kryesisht për fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar që është në interesin tonë, për mundësinë e modernizimit të pikave të kalimit kufitar, mundësinë e hapjes së pikave të reja të kalimit kufitar në ato zona ku ka investime, edhe të turizmit.”, u shpreh Bushati.
Veç kësaj, Ditmir Bushati kujtoi kontributin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe u shpreh se roli i Malit të Zi mbart të njëjtën rëndësi në hapat e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian.
“Diskutuam edhe për bashkëpunimin e dy vendeve në NATO, Shqipëria ka mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Nga ana tjetër, siç dihet, Mali i Zi është një vend i integruar në BE ndërkohë që Shqipëria sapo ka marrë direktivat dhe ka një program të qartë për hapat që duhet të ndjekë për nisjen e bisedimeve për anëtarësime.Eksperienca e Malit të Zi vlerësohet si e rëndësishme.”, vijoi më tej ministri Bushati.
Më tej, ai bëri me dije edhe të tjera çështje që ishin në fokus të takimit mes tyre:
“Folëm për zhvillimet më të fundit në Malin e Zi, ku bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, ne sot përshëndesim platformën që ishte një hap përpara sa i përket lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi.
Në fokus edhe pakica malazeze në Shqipëri, e informova homologun për hapat e ndërmarrë në përputhje me konventat e Këshillit të Europës. Do vazhdojmë konsultat sepse kemi përpara mundësinë jo vetëm për të zhvilluar, por edhe për një sërë çështjesh. Marrëdhënia jonë mund të shërbejë për të dhënë një mesazh.”
(XH.A/SHUPLAKA)