Gjatë një takimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në kuadër një leksioni të hapur me studentët, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se shqiptarët në Maqedoni janë faktor përcaktues për stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë.
“Kriza e tejzgjatur në Maqedoni, ngjarjet shqetësuese të muajve të fundit në raportet Kosovë-Serbi shoqëruar me mungesën e rezultateve të prekshme në procesin e dialogut, stanjacioni në Bosnjë e Hercegovinë, ndërhyrja e aktorëve të tretë në zhvillimet e brendshme politike në Malin e Zi, janë disa tregues të vëmendjes së munguar dhe forcës së dobësuar të BE-së pikërisht në oborrin e saj”, shton më tej ai.
Në fjalën e tij, Bushati nuk la pa përmendur as 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sipas ministrit, procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm edhe për Kosovën, pavarësisht vështirësive të panumërta.
“Jemi dhe do të vijojmë të jemi në kërkim të barazisë e dinjitetit njerëzor duke marrë për bazë eksperiencat më të mira në rajon e në Europë. Por ka ende shumë për të bërë. Po marr vetëm një shembull: pakica serbe në Kosovë përbën rreth 6 përqind të popullsisë së Kosovës. Serbishtja është gjuhë zyrtare, pakicat kanë 10 përqind të vendeve të rezervuara e mund të fitojnë edhe vende shtesë sipas dinamikave elektorale, kanë të drejtën e shumicës së dyfishtë për ligjet që kërkojnë shumicë kushtetuese. Në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, është dakorduar krijimi i Asociacionin të Komunave me shumicë serbe, modalitetet e funksionimit të të cilit mbeten të testohen në praktikë. Popullsia shqiptare shtet-formuese në Maqedoni, disa herë më madhe në përqindje e shifra absolute, prej një dekade kërkon mirëkuptim për shpalljen e shqipes si gjuhë zyrtare. Qoftë edhe vetëm në këtë aspekt, një ndër shumë, kontrasti nuk mund të jetë më flagrant, më jashtë kohës”, tha Bushati. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post