Bushët u rreshtuan në kahun e kritikëve të Donald Trump dhe i bënë thirrje atij që të dënojë “racizmin, antisemitizmin dhe urrejtjen në të gjitha format që shfaqet”.
George HW Bush dhe George W Bush, atë e bir dhe që të dy ish-presidentë, reaguan përmes një deklarate të përbashkët pas ngjarjeve të Charlottesville.
“Në kohën që lutemi për Charlottesville, kujtojmë të vërtetat thelbësore të hedhura në Deklaratën e Pavarësisë nga baballarët e kombit; të gjithë jemi njësoj kur lindim dhe të mveshur me të drejta të barabarta nga Krijuesi ynë. Këto të vërteta janë të përhershme dhe nuk do të zhbëhen asnjëherë në vendin tonë të madh”, thuhet në deklaratën e Bushëve.
Dy ish-presidentët e SHBA janë figurat më të zëshme mes republikanëve që tërthorazi qortojnë deklaratën e Donald Trump, që fajësoi të dyja palët për përleshjet në Charlottesville, përleshje që kulmuan me vdekjen e një gruaje.
Përleshjet ndodhën mes supremacistëve të bardhë, që ishin tubuar kundër heqjes së një memoriali të një gjenerali të Konfederatës gjatë Luftës Civile me protestues të majtë.