Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në një komunikim me gazetarët ka treguar detaje nga zhvillimet për çështjen e Butrintit. Deputetja thotë se sot është seanca e tretë, ndërsa Këshilli i Ministrave nuk i është bindur vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të sjellë një dokumentacion të plotë për komunikimet e qeverisë me UNESCO-n gjatë periudhës 2019-2023.
Ina Zhupa: Bashkë me kolegët, Isuf Cela, Edmond Spaho, Greta Bardheli, Elda Hoti, Ludovik Hasani, Hasllan Dogjani dhe dy avokatët, Franci Nuri dhe Agron Alibali, kemi ardhur sot në seancën e tretë për koncesionin e Butrintit. Siç ju kam vënë në dijeni për çdo hap të kësaj padie dhe të këtyre seancave doja t’ju vija në dijeni për seancën e sotme. Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili detyronte Këshillin e Ministrave për të sjellë të gjithë dokumentacionin e komunikimeve zyrtare me UNESCO-n të bëra në periudhën 2019-2023 lidhur me këtë koncesion. 4 vite nuk është sjellë asnjë dokumentacion. Ky është një mosrespektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli i Ministrave. Kur ndodh kjo, është e kotë që të vazhdojmë një proces gjyqësor kur pritshmëria është që këta nuk do të zbatojnë as vendimin final.
Deputetja, e cila prej muajsh është në këtë betejë, thotë se në bazë të kësaj kërkese u ka ardhur një letër e shkruar me shkrim dore, pa numër kontrolli, ku ishte shpjeguar arsyeja e mospasjes së komunikimeve. Në letër, sipas Zhupës shkruhej se duke qenë se punonjësja e cila kishte pasur komunikimet nga emaili i saj, është larguar nga puna duke sjellë kështu dhe zhdukjen e lidhjeve me UNESCO-n.
Për deputeten kjo është qesharake, sepse përveç se të gjitha komunikimet duhen ruajtur, nuk mund të bëhen nga email-e që nuk janë zyrtare.
Megjithatë, Zhupa thekson se kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund, ku përmend se do të kërkojnë gjithashtu dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të UNESCO-s.
Zhupa: Në këtë aspekt unë mendoj që ne sot do të kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Na ka ardhur një letër me shkrim dore pa numër protokolli që shkruan se komunikimet me UNESCO-n na kanë humbur për shkak se një punonjëse na ka ikur nga puna dhe email-i i saj është mbyllur. Kjo është tërësisht qesharake. Unë mendoj që për katër vite komunikimet nuk janë nga bërë nga një email jo zyrtar. AKSHI ka kompetencë për t’i nxjerrë. Ministritë kanë kompetencë për t’i ruajtur si prova të mëtejshme. Nëse ti për një pasuri botërore si Butrinti i zhduk të gjitha komunikimet me UNESCO-n kush më garanton që kjo pasuri do të jetë e mbrojtur apo më keq të hiqet nga lista e pasurive të mbrojtura. Ky është qëndrimi ynë dhe karta jonë në Gjykatën Kushtetuese ashtu si do të kërkojmë më vonë një përfshirje të drejtpërdrejtë të UNESCO-s. Ne nuk tërhiqemi, do ta vazhdojmë këtë proces derri në fund. Edhe sot që po flasim, Butrinti është duke u dëmtuar ashtu si dhe historia e tij. Ka studiues atje të cilët janë duke tjetërsuar historinë.
(Xh.H/FaxWeb.al)