Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqiti sot para nënkomisionit parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik, kërkesat në lidhje me buxhetin e vitit 2025, në funksion të kryerjes me cilësi të rolit auditues që ka ky institucion. Sekretarja e Përgjithshme e KLSH-së, Valbona Gaxha u shpreh para anëtarëve të nënkomisionit se thuajse 70% e kërkesave të këtij institucioni nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Financave.
Gaxha tha se prioritet mbetet miratimi i organikës dhe shtimi i punonjësve, kjo edhe për shkak të kërkesave në rritje për auditime nga ana e institucioneve.
“Kërkesat buxhetore për vitet 2025-2027 orientohen në tre zëra kryesorë: shpenzimet e personelit, shpenzimet operative dhe shpenzimet për investime kapitale. Kërkesat nuk janë marrë në konsideratë nga Ministria e Financave. Kërkesa jonë për rritjen e numrit të punonjësve mbështetet në disa argumente si rritja e kërkesës së vazhdueshme nga Kuvendi dhe në kuadër të integrimit, për rritje të numrit të auditimeve në disa fusha me ndjeshmëri të lartë publike”, tha ajo.
Sipas Sekretares së Përgjithshme të KLSH-së me këtë masë synohet shmangia e delegimit dhe përfshirja e audituesve në më shumë se dy auditime paralele. “Aktualisht audituesit marrin pjesë në më shumë se dy auditime paralele dhe kjo kërkon vëmendje të shtuar që të mos ndikojë në uljen e cilësisë audituese”, tha ajo.
Po ashtu, Gaxha kërkoi rritjen e fondit për shpenzime dhe për dieta, si kusht për mbulimin me auditim të të gjitha institucioneve.
Ajo u ndal edhe te rekomandimet në kuadër të sigurisë kibernetike, ndërsa theksoi se në buxhetin e miratuar për vitin 2025 nuk përfshihet fondi për investime në hardware dhe trajnimin e stafit. Po ashtu, Gaxha kërkoi të shihej me prioritet edhe fondi për investime për rikonstruksionin e godinës.