Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është shprehur sot (20 nëntor) se duhet të krijohet një shportë prej 300 milionë eurosh, për rritjen e pensioneve në Shqipëri.
Ai foli në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend ku diskutohej nen për nen Buxheti 2025 i kaluar në Parlament ditën e djeshme (19 nëntor), ku tregoi edhe strategjinë se ku do të gjenden këto para.
Shehi tha se propozimi i tij “është e vetmja mënyrë” për nxjerrjen e pensionistëve nga varfëria me të cilën po përballen në ditët e sotme.
”Pse ka dalë jashtë funksionit skema e pensioneve? Sepse ka ecur më shpejtë inflacioni në krahasim me rritjen e pensionit. 200 mijë lekë para 2010 quhej një pension i pranueshëm, sot nuk quhet më, jemi në nivel mizerje. Edhe unë prandaj them hajde krijojmë një buxhet më vete. Puna është sa pare do fusim, se kjo nuk bëhet me çikërrima. Unë kam thënë 300 milionë euro”, u shpreh ai.
Deputeti dhe kryetari i LZHK dha edhe shpjegime ekonomike se si mund të arrihej, duke kujtuar se edhe më herët e kishin cilësuar si “të çmendur” kur propozoi për pagat.
“Thonë ka luajt mendsh. S’kam luajt fare mendsh, edhe ta them unë ku do i marrim. Se edhe kur kam thënë për rritjen e rrogave, thanë ka luajt mendsh ky, sepse do rritet inflacioni. Nuk u rrit fare inflacioni. 300 milionë, do i marrim investimeve 160 milionë. Te buxheti faktik i 2023 mungonin 160 milionë euro. Pra po heq një gjë që nuk përdoret. Sepse kemi blerë 3 kile patate për një kile supë. 55 milionë i ka llogaritur qeveria vetë. 85 milionë do i marrim në treg të brendshëm”, shpjegoi deputeti.
Shehi theksoi se kjo rritje nuk ndikon shumë në gjendjen e borxhit të vendit dhe situatës ekonomike.
“Ja ku u bë. 0.4 % do rritet borxhi, po le të rritet, pse çfarë do bëjmë ne garë te FMN? Vendet perëndimore kanë borxhin deri në 89 %. Shqipëria e vogël do ta ulë. Po përse do ta ulë? Do marrë ndonjë medalje kryeministri nga FMN? Ne kemi marrë para borxh për investime që nuk dihet se ku janë, pse ky borxhi 100 milionë euro do na rëndojë ne. Kjo është zgjidhje politike, ka dëshirë kjo qeveri, që këta mbi 200 mijë vetë të marrin të paktën 250 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha Shehi ndër të tjera.