Edhe zyra e Presidentit të Republikës prezantoi sot te Komisioni i Çështjeve Ligjore buxhetin për vitin 2025, ku sikurse institucionet e tjera kërkoi shtesë fondesh, mes tyre zgjerimi i ambienteve të Presidencës dhe mjete.
Por kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi ashpër presidentin dhe institucionin e tij, duke theksuar se në vend që të ngrihet në lartësinë e detyrës, vjen në Kuvend dhe kërkon para për kolltuk dhe makina luksi. Këtu iu referua kërkesave për rikonstruksionin e Presidencës me fond 3 mln euro, por edhe pajisjen me makinë të re.
Bardhi tha se opozita respekton institucionin e presidentit, por kurrsesi nuk mund të pranohet fakti se ai është kthyer në “drejtues politik i fushatës së Edi Ramës”. Gazment Bardhi i kërkoi mazhorancës të mos e keqpërdorë presidentin si leckë, duke marrë referencë batutën e Bajram Begajt me homologun turk, Rexhep Taip Erdogan javë më parë, se “kishte zyrën e vogël”. Madje Bardhi bëri edhe një ironi, duke përmendur faktin se Presidenti shkon në takime për “përshesh me gjel” apo se i “shërbente kryeministrit Edi Rama”.
Debatet në Komision:
Gazment Bardhi: Presidenti është në detyrë për rehati. Kërkon makina komode, kërkon zyra të mëdha, çfarë nuk kërkon. Shpresojmë të mos kërkojë të hapë ndonjë sallon bukurie në presidencë. I kemi dhënë fonde në vazhdimësi. Por kam qenë shpesh në Presidencë dhe të them të drejtën godina është mirë. Ky është Presidenti i parë që kërkon kolltuk, automjete e ku di unë. Presidenti para se të kërkojë kolltuk, karrige, parukeri do të duhej të luante rolin si president i vendit. I është dhënë disa herë shansi të ngrihet në detyrën e kreut të shtetit, por nuk ka guxuar kurrë ta bëjë këtë. Ne e inkurajojmë të mos japë mesazh të ndasisë politike. I kërkojmë si institucion përgjegjës të marrë masa për ambasadorët. Presidenti shkarkoj një ndër ambasadorët më të mirë që kemi pasur, ambasadorin në gjermani. E shkarkoi pse nuk i vuri me dispozicion eskortën për të takuar fëmijët. Nuk merr asnjë masë për ambasadorët që shkojnë në takime politike. Në vend që të flasë për këtë vjen e kërkon në Kuvend, kërkon kolltuk. Sot nuk ka para për të sëmurët me kancer, presidenti mori para për dorën që vrau duke kërcënuar ambasadorin në Gjermani. Do duhet ta dinë shqiptarët këtë. Nëqoftëse keni respekt për presidentin mos e përdorni si leckë.
Klotilda Bushka: Zoti Bardhi, vijoni në rendin e ditës, flisni për buxhetin, mund ta thirrni presidentin…
Gazment Bardhi: Që të takosh presidentin, duhet të marrësh leje të zyra e Edi Ramës…
Klotilda Bushka: Ju lutem qëndroni në rendin e ditës…
Gazment Bardhi: Unë nuk di që presidenti bën batuta. Për dorën e tij u akordua buxhet nga shteti për kurim, kurse qytetarët shqiptarë nuk kanë ilaçe dhe s’blejnë dot medikamente. Presidenti i shtetit duhet të ketë marrëdhënie dinjitoze dhe jo lapanjoze me botën ndërkombëtare, dhe dinjitoze është që presidenti të mos ankohet se ka zyrën e vogël. Por edhe pse aty mund të luhet futboll, ai kërkon zgjerim, e me gjasa duket se ai do të bëjë parukeri. Tani si do bëni, çfarë do bëni te zyra e Presidentit, zgjerim dhome, dritare, dyer, që ta dimë edhe ne çfarë do bëhet e çfarë të votojmë. Çfarë mjeti do, çfarë marke e ka dhe si e do të riun, që edhe ne ta votojmë kërkesën buxhetore.
Klotilda Bushka: Mos bëni ironi, nuk është vendi për këto diskutime, jemi për buxhetin!
Gazment Bardhi: Asnjë ditë s’e ka luajtur rolin si president i republikës së shtetit, po bredh rreth më rreth. Ishte në Berat dhe kishte në krah kreun politik të qarkut Berat, të Partisë Socialiste dhe ti më thua mos bëj ironi. Por ai nuk është ngritur asnjëherë në nivelin e detyrës. Ne e kemi respektuar që nga dita e parë, por të kryejë detyrën dhe jo t’i shërbejë Edi Ramës dhe zyrës së Edi Ramës.
Xhemal Qefalia: Të vish të atakosh një personalitet që vjen nga fusha ushtarake, që ka mbajtur gradën më të lartë të gjeneralit, intelektual në fushën e mjekësisë dhe të kërkosh pse nuk shoqërohet me përfaqësues të PD, nuk e di ku do i gjejë ai, ai është figurë, president. Të vjen keq kur i dëgjon këto. Ai ka ardhur duke kaluar të gjitha etapat dhe jo si disa nga ju, që dihet se si keni ardhur. Është turp, merremi me një batutë informale mes dy personaliteteve.
Bardhi: Unë e di që jeni avokat i presidentit, bëni shumë mirë sepse ka nevojë. Unë nuk kam ndërmend ta shpall monument kulture Bajram Begajn, si dhe kolltukun e tij, ju mund ta bëni. Unë nuk i shkoj por ai ka detyrë të ngrihet në nivelin institucional. Unë nuk kam ndërmend të shkoj të ha përshesh me gjel siç bën ai, duke shkuar në rrethe. Nëse keni respekt për Presidentin, mos e keqpërdorni si leckë.
Klotilda Bushka: Zoti Bardhi, mjafton… Po përdorni fjalën respekt por s’po e respektoni Presidentin, të vijojmë të nderuar kolegë.
Gazment Bardhi: S’ia kam fajin unë se u kthye nga gjeneral, në ushtar apo rolin që të sillej mbi palët. Opozita s’ishte në dijeni për ardhjen e presidentit të republikës dhe u njoftua vetëm PS!