Deputeti i LSI-së Shezai Rrokaj nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se buxheti i vitit 2018 për arsimin është i pamjaftueshëm, duke e konsideruar arsimin edhe si çështje filozofie ai tha se arsimi i detyrueshëm nuk nënkupton vetëm detyrimin e individit për shkollim, por në radhë të parë detyrimin e shtetit për ta shkolluar.
Rrokaj tha se mungon stratëgjia për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencorë, ndërsa tha se sistemi ynë i arsimit ka mungesa të theksuara dhe duhet digjitalizuar, ndërkohë që fondet për arsimin për këtë problem janë shumë pak.
Shezai Rrokaj dha edhe një shifër të frikshme për sa I takon numrit të nxënësve të regjistruar këtë vit në arsimin parauniversitarë, ai tha se 22 mijë nxënës më pak janë regjistruar në sistemin parauniversitarë.
FJALIMI I PLOTË:
Inderuar zoti Kryetar,
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar deputetë,
Unë mendoj se, si dhe për sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe për arsimin është e rëndësishme që analiza të bëhet duke pasur parasysh se çfarë është premtuar në dokumenta politikë të qeverisjes pararendëse, cila është gjendja e buxhetit që pret arsimi nga Qeveria dhe cilët janë treguesit e vendeve ku Shqipëria kërkon të integrohet.
Por para se t’i përqasim këto fakte po sjell në vëmendjen tuaj se edhe këtë vit subvencionimi i arsimit nuk ka pësuar rritjen e nevojshme, por është ngujuar në 38 miliard e 374 ml lekë ose 300 ml euro: rreth 3% i PBB-së, i ndarë respektivisht 2.11 % për sistemin e detyrueshëm dhe për shkollën e mesme të lartë, 0,49 % sistemi universitar dhe dhe mbi 0,02% kërkimi (gati 1% e buxhetit të arsimit). Sporti dhe Rinia, 0, 04% (4 ml euro).
Po le ta ballafaqojmë Qeverinë me vetveten dhe me treguesit e vendeve ku ne kërkojmë të integrohemi:
Po i referohemi Strategjisë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar (2014-2020) është pjesë përbërëse e Planit Strategjik të Arsimit 2014-2020.
Po citoj: Ajo synon tre drejtime:
të përmirësojë cilësinë e arsimit për të gjithë;
të identifikojë veprimtaritë kryesore dhe të planifikojë buxhetet e nevojshme;
të ndihmojë bashkëpunimin mes agjencive qeveritare, partnerëve dhe grupeve të tjera me interes ndaj arsimit, në drejtim të shtrirjes së veprimtarive dhe të investimeve në arsim etj.
Ajo parashikon 4 politika zhvillimore në APU si:
Përsosja e qeverisjes, udhëheqjes dhe menaxhimit të kapaciteteve dhe të burimeve
Nxënia gjithëpërfshirëse dhe cilësore
Sigurimi i cilësisë së arritjeve bazuar në standarde
Përgatitja dhe zhvillimin profesional
Disa nga rezultatet kryesore që priten të përmbushen gjatë vitit 2017 dhe ato që duhet të realizohen me buxhetin vjetor të shtetit të parashikuar në vitin 2018 janë të paraqitura më poshtë:
- përqindja e PPB për SAPU-në të jetë masën 3%, ndërsa për sistemin në tërësi 5%
- të zbatohen mekanizmat për mbulimin e kostos për tekstet.
- të sigurohet prania e mësuesve ndihmës për fëmijët me AK, gjatë orëve të mësimit
- 95% e fëmijëve të grup-moshës 5-6 vjeç (përfshirë dhe ata me AK) përfshihen në klasat përgatitore
- 90% e fëmijëve të grup-moshës 3-5 vjeç të përfshihet në forma të ndryshme të edukimit parashkollor që funksionojnë bazuar në kurrikulat përkatëse.
- shkollat e mesme të jenë të pajisura me infrastrukturën e sigurt dhe funksionale që ofron mundësi për përdorimin e përmbajtjeve digjitale në procesin mësimor.
Në dokumentin politik janë parashikuar gjithashtu fondet që nevojiten për zbatimin e planit të veprimit.
Atëherë:
Së pari,
Sipas kësaj strategjie të po kësaj qeverie një nga rezultatet kryesore që duhet të arrihet gjatë vitit 2018 është që: “Shpenzimet për arsimin parauniversitar duhet të arrijnë në nivelin e 3% të PBB, ndërsa për sistemin në tërësi përfshirë dhe Arsimin Universitar duhet të arrijnë në vlerën 5% të PBB”.
Në SAPU buxheti për vitin 2018 është parashiluar rreth 37 miliard lekë.
Vendet e BE shpenzojnë mesatarisht 4.9 % të PBB për arsimin nga fondet publike.
Në fakt në Shqipëri për vitin 2018 shpenzimet e buxhetit për gjithë arsimin në % të PBB janë planifikuar në nivelin rreth 3 % të PBB.
Këto shifra janë larg objektivit të vendosur nga vetë Qeveria, e cila ka planifikuar në strategjinë e arsimit se shpenzimet për arsimin duhet të arrijnë në nivelin e 5% të PBB.
Nga analiza e të dhënave buxhetore del se shpenzimet e buxhetit për arsimin në % të PBB rriten me 0.9% në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 (është bërë traditë që merret faktiku për referencë), por po të shikosh më me kujdes trendin del se ato janë 0.7%më të ulëta se në vitin 2016.
Për vitin 2018 fondet e MARS-së për APU-në janë 2.11% e PBB dhe 7.02% e shpenzimeve totale të konsoliduara.
Në SAPU theksohet se ato duhet të arrijnë në vlerën 2.73% e PBB, ose e thënë ndryshe të arrijnë në vlerën 9.43% e shpenzimeve të konsoliduara të buxhetit.
Së dyti.
Shpenzimet për nxënës për APU:
– Në Arsimin bazë në vitin 2018 do të shpenzohen 68.5 mijë lekë.
– Në Arsimin e mesëm, 74.2 mijë lekë.
– Kurse në SAPU duhet të jenë në nivelin e 92 mijë lekë.
Së treti, Shpenzimet për sigurimin i një arsimi cilësor për fëmijët në nevojë janë planifikuar më të ulta se shpenzimet faktike të vitit 2015 për të gjithë periudhën 2018-2020.
Sot ka rreth 300 (311) mësues ndihmës, por është e rëndësishme të theksohet se këta mësues ndihmës nuk kanë formimin e duhur për rolin që ushtrojnë.
Në Shqipëri ende nuk ekziston një kurrikul e përshtatshme universitare përpërgatitjen e mësuesve ndihmës me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat profesionale që të mundësojë integrimin e fëmijve me aftësi ndryshe në komunitetin e një klase të zakonshme.
Për vitin shkollor 2016-2017 raporti i mësuesve ndihmës për fëmijë me aftësi të kuafizuara frekuentues të arsimit të detyrueshëm është 1 mësues për 11 fëmijë, shumë larg një standardi të pranueshëm.
Pesha e shpenzimeve në buxhet në shërbim të “rritjes së cilësisë së mësimdhënies, trajnimin e mësuesve, pajisjen e shkollave me laborator shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale, etj. është shumë të vogël.
Konkretisht: Pesha e shpenzimeve për trainimin e mësuesve mbetet e njëjtë për periudhën 2017-2020. MASR do të shpenzojë 0.17% të buxhetit të APU për trajnimin e mësuesve në vitin 2018 (50 milion Lekë ose 375,940 Euro).
Në fakt: Investimi për trajnim duhet të jetë më i gjerë pasi në vitin shkollor 2018-2019 fillon për herë të parë zbatimi i kurrikulës së re edhe për klasën e 12-të.
Së katërti,
Laboratore fizike, kimie/Instalimi i platforme e-learning dhe pajisje me TABLETA (të cilat janë kthyer në lodra, pasi mungon dixhitalizimi I programeve) dhe për kabinetet e informatikës (110 milion Lekë ose 827,068 Euro) 0.38% e buxhetit të APU. Buxheti për laboratorë duhet të parashikojë jo vetëm blerjen e pajisjeve, por dhe fondet për vënien në funksionim dhe mirëmbajtjen e tyre.
Së pesti,
Biblioteka (20 milion Lekë ose 150,376 Euro) ose 0.07% e buxhetit të APU. Nisur nga eksperienca e tri viteve të fundit duhet që buxheti për bibliotekat jo vetëm të miratohet, por dhe të ekzekutohet sipas planifikimit. Financimi për këtë zë duhet të rritet.
Po ku na shpien këto shifra:
Këtë vit akademik u regjistruan 22 mijë nxënës më pak në sistemin parauniversitar (536-514) dhe këtu nuk është shkak kryesor rënia e lindjeve, por braktisja e vendit prej popullsisë së re.
Të dhënat e Pisa-s e TIMS dhe UNICEF-it për nivelin e nxënësve, që siç pohon edhe revista Monitor (2 tetor), thonë se nxënësit janë të fundit në Evropë në lexim dhe matematikë. Sipas UNICEF-it mbi 15 mijë fëmijë e kanë braktisur shkollën. Në mënyrë të veçantë, analfabetizmi funksional, i cili kap shifrën e 65 mijë nxënësve.
Nuk krijon mbështetje financiare për një reforme në sistemin e vlerësimit në sistemin parauniversitar, e cila është e nevojshme për matjen e dijes së nxënësit me metoda gjithandej të pranuara sot në BE dhe Amerikë.
Do të jemi përsëri i vetmi vend në Evropë ku, përveç shtresave vulnerable, familjet shqiptare i blejnë tekstet për arsimin e detyrueshëm, gjë shpreh qartë se prej disa vitesh ky lloj shteti nuk kupton se arsim i detyrueshëm nuk kupton vetëm detyrimin e individit për shkollim, por në radhë të parë detyrimin e shtetit për ta shkolluar.
Fjala është për atë që ambasadori Lu e tha në Rrëshen se vetëm makinat luksoze dhe dietat qeveritare mjaftojnë për tekstet (7ml euro gjë që nuk përbën një kosto domethënëse për shtetin).
Shqiptarët duhet ta dinë se me këtë buxhet nuk e lëvizim dot sa duhet raportin 20/80 arsim i mesëm i përgjithshëm/arsim professional, megjithëse në relacion na premtohet se në vitin 2020 raporti do të jetë 35/60
Ky buxhet nuk mjafton për të bërë politika subvencionuese kundër braktisjes së shkollës apo kundër analfabetizmit funksional, se fëmijët tanë do vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë në gjuhë dhe matematikë.
Emergjencë kombëtare dekokainizimi i rinisë nëpër në shkolla, që përbën pjesën dërrmuese të 2,5 % të përdoruesve në Shqipëri dhe kjo kërkon një plan veprimi me buxhet më vete.
Arsimi lartë dhe kërkimi shkencor zhvillohen në tym
Nuk ka strategji të arsimit të lartë. Duhej strategjia më parë.
Më pas duhet të bëhej reforma institucionale dhe ligji I IAL-ve
E ashtuquajtura reformë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, prej së cilës u prodhua në vitin 2015 një ligj shumë, i kontestuar nga grupe interesi, ka mbetur në vend numëro. Prej 2 vitesh nuk kanë dalë aktet nënligjore dhe IAL-të janë në kaos funksional. Ligji i Arsimit të Lartë nuk ka sjellë asnjë gjë të re, përkundrazi disa nene kanë krijuar dualizma në universitet si: marrëdhëniet rektor/administrator, senat/bord administrimi. Shumë të tjerë kërkojnë prej vitesh tanimë nxjerrjen e VKM-ve, duke e paralizuar jetën akademike dhe duke i future universitetet në rrugën e një kolapsi institucional.
PRA:
- mungon një strategji e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor e koordinuar me një strategji të zhvillimit afatmesëm të vendit.
- mungon një dokument për reformën institucionale të kërkimit shkencor
- mungon një ligj për shkencën që prej vtit 1994.
U premtua lidhja e sistemit universitar me bibliotekat on line të tipit g-store: rezultati, asgjë. Kampuse jo
Studentët shqiptarë të masterit do të vazhdojnë ta paguajnë të plotë tarifën e shkollimit, e cila është në shifra mbi 60 mijë lekë të reja dhe që është një kosto e papërballueshme për familjet shqiptare.
Qeveria në kundërshtim me Ligjin për ASH 9655 të vitit 2006, tentoi të bllokonte buxhetimin e saj, për pasojë edhe mbylljen e saj.
Ikja prej përgjegjësisë ku, për 4 vite, njëherë me VKM në 2014 u ngrit një grup pune dhe që depozitoi një raport me propozime për reformën e kërkimit shkencor dhe, njëhërë tjetër në qershor të 2016, ku më tri urdhra, u ngritën tre grupe pune për reformimin e kërkimit shkencor (strategjinë, reformën institucionale dhe ligjin për shkencën), është dëshmi se deri tani është një qeverisje kuturu, pa vision në këtë drejtim.
Kjo gjë u vu re edhe me mbylljen e Ministrisë së Inovacionit.
Vazhdon kaosi me kërkimin shkencor: pa strategji, pa reformë institucionale dhe pa ligj për shkencën.
Qeverisë i mungon vizioni, i konsideron akdemikët të dalë kohe, si tejqitje dhe jo si partnerë. Mungon partneriteti me akademikët problematikat reale.
Këto 27 vite qeverisjet dhe bota akademike kanë qenë dy botë, ku secila rri në llogoren e vet, duke u shigjetuar dhe ku mungon partneriteti dhe sinergjia e politikës së zhvillimit me politikën e kërkimit. Prandaj ne vazhdojmë të kemi qeverisje eksperimentale, rastësore, pragmatiste, sot për sot, ku vijnë kryeministra dhe ministra dhe një ditë të bukur mendojnë se pushteti i karriges është në një nivel me atë të mendjes, madje mendja e tyre e kapërcen dhe vetë karrigen si prestigj shtetëror.
Prandaj ne sugjerojmë se është i nevojshëm dialogu dhe partneriteti, i cili do të bënte të mundur një strategji gjithëpërfshirëse të gjithë sistemit arsimor të bashkërenduar me strategjinë e zhvillimit afatmesëm të vendit dhe atë të punësimit.
Për këtë duhet një pakt kuvendor kombëtar sepse startegjitë kanë shtrirje përtej mandateve qeverisëse. Arsimi është e mirë kombëtare, para se të jetë e mirë partiake.
Investimi për dijen është një faktor ekonomik shumë i rëndësishëm zhvillimi në shoqëritë e sotme (p.sh. Finlanda), sepse rrit cilësinë e produktit dhe ul kostot apo shpenzimet në drejtime të paduhura. Dija të bën të pavarur dhe shqiptarët kanë grumbulluar këtej e në diasporë aq dije sa për të mos mbetur lolo, duke i mbajtur sytë nga Evropa dhe Amerika.
Ky buxhet varfëron më tej shtresën mesme (PNUD, ku mbi 30% e zënë mësuesit) e cila, me taksën e lartë, po bëhet njësh me shtresën e varfër dhe që nuk përmirësohet dot me rritjen simbolike e pagave prej 5%, që parashikon Qeveria.
Ky buxhet e ka hequr nga defteri sistemin doktoral, nuk ka kërkim shkencor dhe do të dëgjojnë të njëjtën muzikë për biblioteka on line si katër vite më parë.
Ekonomistët më kanë sqaruar se për rreth 50 milionë euro, arsimi bëhet falas: tekstet falas në arsimin parauniversitar dhe masterit i hiqen tarifat e larta të shkollimit, kërkimi shkon të paktën në 05% e PBB-së, nga 1-3% që e kanë vendet e OECD-së.
Universitetet publike bëhen me 12 muaj pagë nga 10 muaj të parashikuar në buxhet dhe thuajse aspak për shpenzime operative dhe investime. Kurse fondet për kërkim fondamental në universitet prej vitesh kanë ikur në drejtim të paditur.
Gjithashtu fondi i ekselencës i parashikuar në 132 ml. Në këtë fond është futur edhe kualifikimi i administratës publike për të cilët është vendosur nga KM se e përfitojnë për 300 universitet më të mira, kurse për studentët është ngushtuar jashtëzakonisht mundësia e përfitimit, duke e reduktuar vetëm në 15 universitetet më të mira të botës.
Ky buxhet është vlerësuar si buxheti më i varfër me taksa më të larta. Po përse këto taksa të paktën nuk shkojnë aty ku qytetarët janë të gatshëm të shpenzojnë?
Sondazhet të certifikuara kanë treguar se shqiptarët janë ndër popujt që shpenzojnë për arsimin më shumë se për çdo produkt tjetër jetik. Si shumë vende (shih Filandën), ata e kuptojnë se investimi për arsimin është sektori që sjell më shpejt zhvillim se çdo sektor tjetër. Prej 20 vitesh, Evropa po shpenzon gati 5% të PBB-së për arsimin. Edhe Strategjia e Qeverisë kështu thotë, vetëm se në dallim nga Evropa, ajo bën demagogji me ta, pasi dhe më parë qeveritë e tjera, vlerësimi për arsimin nuk i kapërcen as këtë vit e as vitet në vijim 3% të PBB-së.
Emergjencë kombëtare dekokainizimi i rinisë nëpër në shkolla, që kërkon një plan veprimi me buxhet më vete
Të nderuar qytetarë,
Investimi për dijen është një faktor ekonomik shumë i rëndësishëm zhvillimi në shoqëritë e sotme (p.sh. Finlanda), sepse rrit cilësinë e produktit dhe ul kostot apo shpenzimet në drejtime të paduhura. Dija të bën të pavarur dhe shqiptarët kanë grumbulluar këtej e në diasporë aq dije sa për të mos mbetur lolo, duke i mbajtur sytë nga Evropa dhe Amerika.
Por kjo lloj politike që është gatuar këto 27 vite, herë me ndihmën tuaj e herë duke i blerë a vjedhur votat, dhe që ka sjellë qeverisjet e radhës, shpenzon energji pa fund për sherr, fyerje dhe linçime personale, prodhon stres dhe ankth në shtëpitë tuaja.
Sondazhi BERZH-it shprehet se 73% e shqiptarëve pohojnë se jetojnë më keq, 53% të pakënaqur nga shërbimi shëndetësor, se 56% e shqiptarëve duan të braktisin vendin e tyre, ku 70% e tyre janë të rinj; 30% e moshës së re për punë është e papunë.
E pra të nderuar qytetarë!
Por kjo lloj politike e ka parë pushtetin jo për të bërë shtet, por se si të pasurohet prej tij, jo të bëhet më e mënçur për t’i bërë gjërat me rregull e dituri, duke bashkëpunuar punët me njerëzit e ditur, nuk është udhëhequr nga truri por nga muskujt, prandaj ajo ka gjetur për partnerë njerëzit e fortë, oligarkët, kanabistët, hajdutët, mediat vrasëse, intrigantë e sojësëzë të çdo ngjyre.
(B.H/Faxweb)