Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si qeveria socialiste ka grumbulluar më shumë të ardhura në buxhet. Ajo ka theksuar se buxheti i cilësuar nga qeveria si “më i madhi në histori”, në fakt po rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve shqiptarëë.
Tabaku shpjegon se rritja e të ardhurave nga taksat është rezultat i rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës, duke përmendur rritjen prej 30% në të ardhurat nga TVSH-ja, e cila është një taksë mbi konsumin. Sipas saj, kjo rritje ka ardhur plotësisht nga qytetarët më të varfër, pensionistët dhe shtresa e mesme, duke bërë që barra e krizës ekonomike të rëndojë mbi ta.
Në vijim, Tabaku argumenton se edhe rritja e të ardhurave nga sigurimet shoqërore nuk ka ardhur si rezultat i formalizimit të tregut të punës, por thjesht nga rritja e pagave në administratën publike, të cilat janë reflektuar në taksa më të larta për qytetarët.
Deputetja e PD-së e cilëson këtë situatë si një manifestim të “mentalitetit socialist”, ku 95% e qytetarëve mbajnë peshën e rëndë të taksave, ndërsa përfitimet shkojnë vetëm tek 5% e qytetarëve. Ajo thekson nevojën për ndryshim të këtij sistemi dhe premtimin se Partia Demokratike ka një plan për ta kthyer sistemin në shërbim të shumicës së shqiptarëve.
Tabaku bën thirrje që “kjo piramidë duhet përmbysur”, duke kërkuar që qytetarët të marrin shërbime të duhura dhe të paguajnë taksa të drejta sipas punës dhe kontributit të tyre.
Fjala e plotë:
Kur dëgjoni se është buxheti më i madh, duhet ta dini që kjo vjen nga fakti se qytetarët kanë paguar më shumë. Kanë paguar taksa më të larta qytetarët, kanë paguar çmime më të larta qytetarët. Gjithçka vjen nga barra që mban sot çdo qytetar shqiptar.
Çfarë ka ndodhur me buxhetin e shtetit? Kanë mbledhur më shumë para, sepse çmimet janë rritur. Kjo rritje e të ardhurave me 30% nga TVSH-ja ka ardhur drejtpërdrejt nga xhepat e varfër të pensionistëve dhe shtresës së mesme.
Kanë mbledhur më shumë të ardhura nga sigurimet, sepse pagat janë rritur artificialisht në administratë dhe e gjithë rritja është marrë mbrapsht në formë taksash. Kështu ka ndodhur çdoherë, kështu ka ndodhur çdo vit.
Ky është mentaliteti socialist: barra e taksave rëndon mbi shumicën dërrmuese të qytetarëve, mbi pensionistët, mbi shtresën e mesme dhe mbi të varfërit.
Kjo piramidë duhet përmbysur. Pjesa më e madhe e qytetarëve që paguajnë taksa duhet patjetër të marrin shërbime dhe të paguajnë taksa të drejta. Sistemi duhet ndryshuar që të punojë jo për një pakicë, por për shumicën e shqiptarëve.
Ky është ndryshimi që duhet të ndodhë patjetër.
Discussion about this post