Nga Entela Duka-Fax News
“Vetëm 7 km nga Elbasani ndodhet pika turistike më e afërt, ajo e Byshekut. Ajo që e bën të vecantë këtë destinacion janë burimet ujore, rrapat shekullorë dhe freskia që krijon hija e tyre.
Një mundësi e mirë për të gjithë pushuesit nga qyteti i Elbasanit dhe zonat përreth të kalojnë disa momente relaksuese sidomos në këto ditë të nxehta, kur temperaturat kanë kapur shifra rekord”.
Pika më e afërt turistike në Elbasan e cila mund të shkohet lehtësisht është Bysheku, i cili ndër të tjera përfshihet në listën e 100 fshatrave turistike. Qytetarët që kanë zgjedhur të pushojnë në Byshek pohojnë se është një mundësi e mirë për të pushuar dhe për të mos ndjerë vapën e madhe.
Ndërsa infrastruktura rrugore është përmirësuar, problem mbetet çështja e pronësisë e cila pengon investimet në zonë.
Në tërësi turizmi këtë vit ka njohur një zbehje. Fatin e destinacioneve bregdetare e kane edhe pika turistike si Bysheku.
Jo vetëm të rritur mund të gjejnë strehë në rrapat shekullorë dhe ujin e ftohtë që buron aty pranë, por dhe fëmijët e preferojnë mjaft Byshekun.