Përfaqësuesit e qendrës së zhvillimit të shoqërisë civile, të cilët po angazhohen per mbledhjen e firmave per Vetingun e mbyllën çadrën e ngritur në qendër të Durrësit në mënyrë të çuditshme, duke lënë me “gisht në gojë’ qytetarët që prisnin në radhë për të firmosur.
Prej ditësh këtë nismë në dukje të ndërmarrë nga shoqëria civile e kanë mbështetur dhe përfaqësuesit e qeverisë.
Pa asnjë shpjegim, me urdhër nga eprorët, përfaqësuesit mblodhën dokumentacionin dhe mbyllën çadrën, pa u dhënë asnjë shpjegim qytetarëve. Përfaqësuesit kërkuan të mos filmoheshin nga mediat dhe këtë ‘mbajtën’ si justifikim.
Madje, përfaqësuesit e caktuar nga qendra e zhvillimit të shoqërisë civile u përplasën me madian, e cila kishte interes pasqyrimin e këtij aktiviteti. Qytetarët e konsideruan të papranueshëm gjestin e përfaqësuesve, duke i quajtur persona të dyshimtë.
“Ne kemi kohë që presim në radhë sepse na intereson të firmosim, pasi jemi pro vetingut. Këta (përfaqësuesit) prezantohen si të shoqërisë civile, por konstatuam se vetëm civilizim nuk kishin. Nuk e kuptojmë pse nuk pranuan të filmohej procesi nga media, pasi na thanë se e mbyllën çadrën se nuk donin të filmoheshin. Kjo është e papranueshme, pasi procesi për mbledhjen e firmave po ecte shumë mirë. Kishte shumë qytetarë të interesuat të firmosnin dhe t’i bashkoheshin kësaj nisme. tani nuk po dimë kujt t’i besojmë”, shprehen qytetarët e habitur nga gjesti i përfaqësuesve të orientuar nga qendra e zhvillimit të shoqërisë civile. (E.K/SHUPLAKA)