Tashmë u bënë pothuajse 3 muaj që protesta e opozitës është përqëndruar në Bulevard, dhe në mënyrë simbolike me ngritjen e çadrës.
Duhet thënë se kjo jo pak herë ka pengaur dhe qarkullimin e mjeteve në atë zonë shumë të ngarkuar të lëvizjes në Tiranë.
Për gazetaren Zilije Feci Basha ka një borxh të cilën duhet tiua paguajë qytetarëve. Sipas saj Basha bën mirë që ta ngrejë çadrën te Selia e PD-së dhe jo aty ku pengohen qytetarët. Ajo vijon më tej duke thënë se shumë prej miqve të saj iu është dashur të shkojnë më vonë në punë për shkak të bllokimit të Bulevardit.
SHKRIMI I PLOTË:
Zoti Basha, na kthe borxhin! Prej afro tre muajsh, kalimi në Bulevard është “mollë e ndaluar”. Dhe kjo, sepse Partia Demokratike me ca aleatë të saj, mes të cilëve edhe atë kuqeziun Kreshnik Spahiu, që pasi nuk i doli gjë me Partinë Socialiste u hodh me opozitën e tanishme kanë ngritur një çadër dhe këndojnë e kërcejnë, festojnë fitore pa asnjë fitore, hanë pica e fara kungulli e luledielli. Kurse ne të tjerët që kemi hallet tona, që punojnë në një, apo dy punë për të siguruar sadopak mirëqënie për familjet tona, vuajmë nga kapriçot e Bashës dhe të tjerëve pas tij.
Ky Basha, këtë çadrën e lirisë, a ku di unë se si e ka quajtur, mund ta ngrinte fare mirë në oborrin e selisë që ai drejton, jo në atë bulevard ku kalojnë të majtë e të djathtë, ballistë e komunistë, fëmijë e pleq, diplomatë të huaj e shumë prej njerëzve që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit të zgjidhin ndonjë punë në institucionet e Tiranës.
Cmenduri ta mendosh që për tre muaj, një parti politike, qoftë kjo edhe më e madhja opozitare në vend të bllokojë lëvizjen e lirë të njerëzve. Tirana, dihet nga të gjithë që ka probleme me trafikun, me rrugë në të cilat punohet, shtim të numrit të makinave në qarkullim sidomos në fillimjavë dhe nuk ia kemi borxh askujt të na shtojë një hall të ri, siç është bllokimi i bulevardit. Edhe mund të ndodhë në rastet e protestave njëditore, si shprehje e demokracisë, edhe të ndonjë eventi, si shprehje e qytetarisë, por jo tre muaj.
Zoti Basha, e di ti, se për shkak të asaj çadrës që ti ke ngritur në mes të sheshit, shumë familjarë kanë paguar më shumë para, kur kanë çuar fëmijën në shkollë a kopësht, kur kanë shkuar në punë, apo edhe kur u është dashur të dalin për halle të tjera në Tiranë. Dhe kjo, se na është dashur të lëvizim më shumë kilometra, duke harxhuar më shumë kohë e karburant.
Ndaj, na kthe borxhin. Mënyrën si do e bësh gjeje vetë. Vetëm mos na vono, se nuk ta kemi borxh; as ty e askujt tjetër. Përkundrazi, ju na keni borxhe me shumicë, aq sa nuk e di, nëse do ketë kishë e xhami të falë mëkatet tuaja, edhe pse përditë flisni për popullin.
Ti zoti Basha, do bëje mirë dhe do ishte e udhës, që tek selia e Partisë që drejton ta ngrije çadrën e lirisë, demokracisë, qeverisë, pushtetit, e çdo gjë tjetër që futet në të, sepse kështu, të paktën aty nuk pengon askënd që do të kalojë në rrugët e vendit tim e tëndit.
Kam miq e shokë që kanë marrë edhe gjoba në punë, pasi kanë shkuar me vonesë, se u është dashur të vijnë rrotull Tiranës për të gjetur rrugëkalim. Pse? Sepse, ti ke bllokuar bulevardin, nyjën kryesore që i jep frymëmarrje qarkullimit në Tiranë. Mendoje njëherë, mbase kam unë të drejtë! Nëse nuk të vjen asgjë në mendje, mendohu dy herë dhe pyet ndonjë aty rrotull teje, se mbase kam unë të drejtë! (E.K/SHUPLAKA)