Në konferencën e paralajmëruar për shtyp të mbajtur pak minuta më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, foli për menaxhimin e masave për procesin zgjedhor, i cili është duke shkuar drejt fundit.
Ai bëri të ditur se nga 26 maji deri më 25 qershor janë evidentuar 69 vepra penale, ndër të cilat 36.2% janë shënuar vetëm më 25 qershor. Ai theksoi se gjatë këtij një muaji, Policia e Shtetit u përball me fluks të madh aktivitetesh, mbi 2000 të tilla, në të cilat nuk u shënua asnjë incident.
Drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi në konferencën për shtyp se janë trajtuar 44 vepra penale që prekin procesin e zgjedhjeve, nga të cilat 84 janë nën procedim penal dhe 7 janë vënë në pranga.
Duke theksuar se gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore nuk u evidentua asnjë problem, ai bëri të ditur se në përgjithësi u kërkua ndërhyrja e policisë për rreth 190 raste në të gjithë vendin.
Deklarata e Haki Çakos në konferencën për shtyp:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako, në konferencë për shtyp për menaxhimin e masave gjatë gjithë procesit zgjedhor
Policia e Shtetit, për të përmbushur detyrat e saj të përcaktuara në Ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Kodin Zgjedhor në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë, si dhe të paprekshmërisë së votës në zgjedhjet për në Kuvendin e Shqipërisë, me datë 25 Qershor 2017, mori një sërë masash me karakter strukturor, organizativ dhe operacional.
Masat konsistuan në hartimin Plan-Programit të Punës, me qëllim ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në të gjitha fazat, para gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Në zbatim të këtij Plan-programi, u përgatiten Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë udhëzimet strategjike te masave në zbatim të detyrave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
U përcaktuan koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ dhe punonjësi i kontaktit pranë Sekretariatit Teknik të Task – Forcës në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.
Me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme si edhe disa institucione shqiptare, u trajnuan sipas niveleve të menaxhimit policor 7040 punonjës Policie që u angazhuan me detyra gjatë procesit zgjedhor.
Në këtë kuadër Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka mundësuar financimin e “Librit të Xhepit”, i cili iu shpërnda të gjithë punonjësve të policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor.
Në zbatim të Urdhrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nr. 285 datë 17.05.2017, lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, u sigurua akses i plotë për ta, për të monitoruar masat e Policisë lidhur me procesin zgjedhor.
Me qëllim menaxhimin e situatës dhe sigurimin e rendit gjatë fazës së parë të procesit, atë të fushatës elektorale, nga data 26 maj – 23 qershor 2017, nga strukturat e Policisë së Shtetit, është përballuar një ngarkesë e konsiderueshme pune, duke siguruar rreth 2447 aktivitete elektorale të subjekteve të ndryshme politike, ku është dashur aktivizimi i një numri prej 12312 punonjës policie me 19950 orë shërbimi, si dhe 1 836 automjete.
Vlen të theksohet se gjatë këtyre aktiviteteve nuk u evidentua asnjë incident.
Në sigurimin e 5362, Qendrave të Votimit, 90 KZAZ-ve dhe 90 VNV-ve, u angazhuan me shërbim 5851 punonjës policie për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
Në bashkëpunim me Gardën e Republikës u hartua Plani i Bashkëveprimit, për marrjen e masave të sigurisë së Personalitete e Larta Shtetërore, ku u sigurua rrugëkalimi për lëvizjet e tyre dhe nuk u evidentua asnjë shqetësim në këtë drejtim.
Masat u përqendruan edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimeve elektorale. Për këtë u vu në dispozicion të qytetarëve numri i gjelbër për të denoncuar çdo shkelje të ligjit.
Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore, gjatë periudhës zgjedhore 26 Maj – 24 Qershor 2017, janë trajtuar dhe po hetohen 44 vepra penale, që prekin procesin e zgjedhjeve ose te konsideruara ndryshe si krime elektorale, ku u proceduan penalisht 87 persona, nga të cilët 13 të arrestuar, 67 në gjendje të lirë dhe 7 në kërkim.
Konkretisht:
7 Procedime penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”,.
19 Procedime penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,.
4 Procedime penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, 2 vepra penale.
11 Procedime penale “Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”,.
1 Procedim penale “Shpërdorimi i autoritetit policor”,
Janë dërguar për vlerësim në Prokurori 3 materiale procedurale.
Ndërsa gjatë procesit të votimit të datës 25 Qershor 2017 janë trajtuar dhe po hetohen 25 procedime penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Për këto procedime janë evidentuar 27 autorë, nga të cilët 7 janë arrestuar, 10 ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 10 janë shpallur në kërkim
Konkretisht:
“Pengimi i subjekteve zgjedhore” 1 procedim penale.
“Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, 1 procedim penal.
“ Dëmtim me dashje i materialit zgjedhor”, 1 procedim penal.
“Shkelje e fshehtësisë se votimit”, 5 procedime penale.
“Votim me shumë se një here ose pa u identifikuar”, 2 procedime penale.
“Korrupsioni aktiv në zgjedhje” 10 procedime penale.
“Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” 4 procedime penale.
“Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve”, 1 procedim penal.
Janë dërguar për vlerësim ne prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, 2 vepra penale.
Gjatë gjithë periudhës zgjedhore nga data 26 Maj, deri 25 Qershor, janë evidentuar 69 vepra penale, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të cilat janë referuar në Prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe janë në hetim, proceduar penalisht 114 persona, nga të cilët 20 të arrestuar, 77 në gjendje të lirë dhe 17 në kërkim.
Konstatohet fakti se veprat penale të evidentuara vetëm në datën 25 Qershor (ditën e votimit), zënë 36.2 % të veprave penale të ndodhura gjatë gjithë procesit zgjedhur.
Gjithashtu po në drejtim të parandalimit dhe goditjes së shit-blerjes së votës, janë referuar edhe raste të tjera për vlerësim nga Prokuroria në disa qarqe të vendit, për individë të caktuar, simpatizantë apo përfaqësues të subjekteve elektorale.
Gjatë marrjes në ruajtje dhe dorëzimit të qendrave të votimit, si dhe gjatë shoqërimit dhe dorëzimit të materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit, nuk u shënua asnjë problem, përveç një incidenti në Vlorë, incident mes anëtarëve të komisionit, ku ndërhyrja profesionale dhe ligjore e policisë bëri të mundur ruajtjen e kutive të votimit dhe dorëzimin e tyre pa u cenuar në KZAZ, falë kjo edhe kontributit të KZAZ-së në zgjidhjen e situatës.
Gjithashtu gjatë procesit të votimit është kërkuar ndërhyrja e Policisë në 190, raste në të gjithë vendin, ku Policia me Vendim të Komisioneve përkatëse ka ndërhyrë në 72 raste, pasi rastet e tjera janë zgjidhur vetë nga komisionerët pa qenë nevoja e ndërhyrjes së Policisë.
Për sa i përket numërimit të votave, nga KZAZ-të është kërkuar ndërhyrja e Policisë në 3 raste për të nxjerrë personat e pa autorizuar në VNV, ku policia me vendim të KZAZ-së ka ndërhyrë në 3 raste në VNV-të.
Ndërhyrjet e Policisë qoftë në QV, apo në VNV, kanë qenë profesionale dhe nuk ka pasur asnjë problem gjatë kryerjes së detyrës për problematikën e kërkuar për zgjidhje nga policia.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u kërkua dhe u ndoq me vëmendje që të gjithë punonjësit e policisë në strukturat qendrore dhe vendore të ushtronin të drejtën e votimit, me gjithë ngarkesën e punës dhe vështirësitë në këtë drejtim për shkak të shërbimit.
Po në funksion të menaxhimit sa më efikas të masave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga data 26 Maj 2017, u ngrit dhe funksionoi grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin dhe verifikimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, analizimin dhe ndjekjen e tij.
Grupi i Drejtimit në DPPSh ndoqi on-line, të gjitha masat e policisë duke bashkëpunuar me Grupet e Drejtimit të 12 drejtorive vendore të policisë, për zotërimin e situatës dhe për realizimin e detyrave gjatë procesit duke pasur një komunikim në kohë reale për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim, do të kishin nevojë, të japin orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm ligjore.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë përpunuar, verifikuar dhe ndjekur në kohë reale një numër të konsiderueshëm informacionesh të ardhura nga të gjitha burimet, gjatë gjithë procesit.
Për herë të parë në Policinë e Shtetit u vu në zbatim një Program për Menaxhimin elektronik të masave të Policisë së Shtetit për zgjedhjet, i cili pasqyroi raportimin në hartën digjitale, sipas fazave të detyrave të policisë, punonjësit e policisë për çdo qendër votimi, përgjegjësit e tyre, numrat e telefonit etj.
Grupi i Drejtimit ka informuar rregullisht institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat monitorojnë zgjedhjet, si OSBE / ODIHR dhe partnerët që asistojnë Policinë e Shtetit. Me të gjithë këto institucione bashkëpunimi ka qenë permanent.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë gjithë fazave të procesit zgjedhor, u ka kërkuar drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, qoftë gjatë takimeve javore por edhe nëpërmjet telegrameve, angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, paanshmëri e të respektojnë me rigorozitet depolitizmin, si dhe në reagimin e shpejtë dhe profesional në bashkëpunim të plotë me Prokuroritë e rretheve përkatëse në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore.
Në lidhje me evidentimin e shkelje të kërkesave ligjore, të kompromentimit të pozicionin si punonjës të depolitizuar, apo të kenë reflektuar qëndrime të njëanshme apo politike, kanë filluar 5 hetime disiplinore , nga këto:
– 3 hetime disiplinore te nisura pas letrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për tre shefa Komisariatesh, Pukë, Gramsh e Dibër, theksoj se pas verifikimeve të bëra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, rezulton se shefat e komisariateve kanë kryer detyrën konform ligjit si dhe nuk janë konstatuar në asnjë rast në shkelje të Rregullores dhe Ligjit për Policinë e Shtetit, si dhe të gjitha veprimet procedurale për ngjarjet e ndodhura janë kryer në përputhje te plotë me Kodin e Procedurës Penale në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore respektive.
– Është arrestuar një punonjës policie i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës, për shkelje të depolitizimit, si dhe ka filluar hetimi disiplinor për një punonjës Policie në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Theksojmë se gjatë gjithë kohës së zbatimit të detyrave, policia e shtetit ka qenë e monitoruar dhe mbikëqyrur nga një sërë organizmash ndërkombëtare, institucione dhe organizma civile, te cilat mundësojnë vlerësim real të punës së policisë në raportet e tyre.
Policia e Shtetit në realizimin me sukses këtij misioni, zbatoi me përpikëri detyrat e planifikuara dhe parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore, ç’ka bëri të mundur ruajtjen, rritjen e performancës, të integritetit policor, duke ndikuar në arritjen e standardeve evropiane të procesit zgjedhor.
(XH.A/SHUPLAKA)