Policia e Shtetit ka konstatuar 14 raste veprash penale që cënojnë standaritn demokratik të zgjedhjeve për të cilat deri më sot janë identifikuar 24 autorë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar, ndërsa të tjerë ndiqen në gjendje të lirë dhe një pjesë janë shpallur në kërkim.
Të dhënat u bënë me dije nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë raportimit në mbledhjen e tretë të Task-Forcës së krijuar për mbarëvajtjen e fushatës dhe proçesit të zgjedhje.
Çako raportoi për 14 raste të shitblerjes së votës, për të cilat tha ai janë kryer veprimet procedurale dhe janë referuar pranë prokurorisë, shkruan Ora News.
Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit për një pjesë të rasteve më sipër prokuroria ka regjistruar procedime penale, kurse të tjera janë në vlerësim e sipër.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se sipas informacioneve të deritanishme nuk ka përfshirje të punonjësve të Policisë së Shtetit në vepra penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve të lira. (M.D/Shuplaka)
Discussion about this post