Ambasadori Italian Alberto Cutillo ka zhvilluar një vizitë në Drejtorinë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako.
Qëllimi i vizitës ishte inspektimi nga afër i Laboratorit Tekniko-Shkencor te Policisë Italiane, Guardia di Finanza dhe Qendrës BENECON, që është instaluar në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në zbatim të Protokollit Operativ për fluturimet ajrore 2017 për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Çako ka falënderuar për mbështetjen Qeverinë Italiane, Ministrinë e Brendshme, të gjithë stafin e Laboratorit të Policisë Italiane në identifikimin, gjetjen dhe asgjësimin e bimëve narkotike edhe në ato zona shumë të thella gjeografikisht ku bëhet dhe më i rëndësishëm monitorimi nga ajri.
“I gjithë territori i vendit është shkelur thuajse pëllëmbë për pëllëmbë nga forcat e Policisë në këmbë që nga Janari deri tani. Falënderoj pa masë miqtë e mi dhe të Policisë së Shtetit, Drejtor i Interforzës Nën Kolonel Giovanni Conti dhe Komandant i Guardia di Finanza në Shqipëri Nën Kolonel Luka De Paolis. Faleminderit, të gjithë ekipin pa diskutim. Ne kemi ndërhyrë në kohë reale, kemi shkatërruar si dhe do të vazhdojmë të investigojmë dhe do ta realizojmë që të gjithë dokumentacionin e prodhuar edhe falë monitorimit ajror, deri në fund. Të gjithë përgjegjësit do përballen me drejtësinë. Së bashku do të vazhdojmë me identifikimin, gjetjen dhe asgjësimin edhe në ato zona shumë të thella gjeografikisht por me vështirësi maksimale për forcat e Policisë. Falënderim për Qeverinë Italiane , Ministrinë e Brendshme pa të cilët kuptohet që nuk do kishim arritur këto rezultate”, tha Çako.
Gjithashtu Çako theksoi rëndësinë e Laboratorit Tekniko – Shkencor të Policisë Italiane në punën e Policisë së Shtetit për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
“Besoj shumë që edhe instalimi i Laboratorit këtu ishte një punë e shkëlqyer sepse përveçse bëhet përpunimi në kohë reale i informacionit dhe shumë gjëra që duhen sqaruar, shpesh herë sqarohen drejtpërsëdrejti mes ekspertëve tanë dhe kolegëve”, tha Çako.
Gjatë kësaj vizite Ambasadori i Italisë Z.Alberto Cutillo është shprehur: “ Ju admiroj për punën që keni kryer sëbashku, jam i kënaqur që Drejtori është i kënaqur për këtë bashkepunim dhe kështu do të vazhdojmë. Është shumë e rëndësishme që 2 vendet tona të ecin përpara në këtë betejë. Do të vazhdojmë gjatë këtij viti duke shpresuar që të festojmë ashtu siç thoni ju, rezultate të rëndësishme të përbashkëta. Ju faleminderit të gjithëve, ju faleminderit për punën dhe ju përgëzoj”, tha ambasadori. (J.V/Shuplaka)