Drejtori i Përgjithësim i Policisë së Shtetit Haki Çako ka zhvilluar një takim me drejtorët vendorë të Policisë, shefat e Komisariateve dhe të stacioneve policore, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit. Kreu i policisë ishte i qartë në porosinë e tij, ndërsa u bëri thirrje strukturave policore që të godasin grupet kriminale që janë evidentuar. Çako ka shprehur vlerësim për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit për realizimin e detyrave të planit në kuadër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë sezonit turistik dhe rezultateve të arritura në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të saj.
Drejtori Çako theksoi se krahas punës së bërë për goditjen e paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ende ka disa mangësi, shqetësime nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin. Shqetësime dhe porosi të cilat vijnë direkt nga kryeministri nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin. “Krahas punës së mirë që është bërë, përsëri vihet re se në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ka mangësi dhe për këtë qëllim jemi mbledhur sot për të përcjellë disa mesazhe, porosi dhe shqetësime të cilat kanë të bëjnë me këtë fenomen. Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së djeshme në Tirane tek Parku i Liqenit”. tha Drejtori. Ai shtoi se për disa vepra penale kundër mjedisit si: prerja e paligjshme e pyjeve, drurëve frutore, peshkimi i ndaluar, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit, ndotja e ujërave etj., apo vjedhja e energjisë elektrike ka një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e tyre.
“Duke filluar që sot për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme do trajtohen nga Policia e Shtetit njësoj si po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike. Për këtë qëllim do të hartohet një plan masash i ngjashëm me atë të kultivimit të bimëve narkotike ku do të parashikohen një sërë detyrash si kontrolli me përgjegjësi i gjithë territorit. Për këtë kontroll përgjegjësit kryesore do të jenë punonjësit e policisë, patrulla e përgjithshme, ndihmës specialisti i policimit në komunitet, specialisti për hetimin e krimeve. Edhe në këtë rast qëndrimi në punë do të vlerësohet nga kontrolli mbi këtë territor dhe në rastin më të keq edhe marrja në përgjegjësi penale. Kjo përgjegjësi do të jetë edhe për zinxhirin komandues. Detyrë tjetër e rëndësishme është kryerja e hetimeve dhe vënia përpara përgjegjësisë e nëpunësve të agjencive të ndryshme shtetërore, të cilat kanë për detyrë të mbikëqyrin territorin dhe parandalojnë veprat penale të mësipërme”, deklaroi Çako.
Drejtori vlerësoi rezultatet e deritanishme kundër kultivimit si shumë të mira.
“Jemi në prag të përmbushjes së objektivit, por jemi në një periudhë që duhet shtuar shumë vëmendja. Duhet të vazhdojnë kontrollet e të gjithë territorit sidomos kontrollet e vendeve dhe ambienteve të mbyllura”, u shpreh ai.
“Kërkohet një intensifikim i masave për marrjen dhe analizimin e informacioneve si dhe fillimin e hetimeve proaktive për grupet kriminale dhe individët e përfshirë në këtë veprimtari.
Të gjitha grupet kriminale, të cilat janë evidentuar nga vetë Drejtoritë Vendore të Policisë, duhet të bëhen objekt i punës për goditjen e tyre. Gjithashtu do të bëhen objekt i punës dhe hetimi i pasurive dhe aseteve kriminale”, tha Çako. Drejtori kërkoi zbatimin korrekt të disiplinës në punë dhe rritjen e integritetit të punonjësve të policisë në komunitet. Theks të veçantë iu vu marrëdhënies me qytetarët duke shmangur sjelljet arrogante dhe ndjekjen e çdo ankese me përgjegjësi. Këtu Çako u ndal veçanërisht në marrëdhëniet me publikun të punonjësve të Policisë Rrugore, Patrullat e përgjithshme dhe punonjësit e pikave të kalimit kufitar, të cilët sipas Drejtorit të Përgjithshëm duhet të jenë model në këtë drejtim.