Bashkëshortja e Koço Kokëdhimës, Brixhida, në një status të shkurtër në profilin e saj në Facebook, i bëri thirrje fermeres Rigerta Loku, pas fjalimit që mbajti në parlament, që të bashkohet me ZGJIDHJA-n, sepse deputetët dhe qeveria nuk punojnë dhe nuk kanë vizionin e duhur për të zhvilluar vendin.
Por një nga komehtuesit, e pyeti zonjën Kokëdhima se ku ishte dhe çfarë bëri i shoqi, për fshatin dhe qytetin gjatë kohës që ishte deputet, duke i bërë thirrje që të bashkohen të gjithë me përpjekjet e qeverisë për zhvillimin e bujqësisë dhe të vendit.
Në përgjigjen për komentuesin, Brixhida Kokëdhima, drejtuese e disa bizneseve dhe mediave, iu rikthye në kohë punës që bëri Koço Kokëdhima gjatë 30 muajve që ishte deputet dhe përpjekjeve të shumta për të krijuar mbështetje financiare për bujqësinë.
Ndërsa thirrjes së komentuesit për t’u bashkuar të gjithë me përpjekjet e qeverisë për zhvillimin e vendit, zonja Kokëdhima iu përgjigj se nuk mund të bashkohen qingjat me ujqërit dhe se i vetmi bashkim që bën fuqinë është projekti i ZGJIDHJA-s.
REPLIKAT:
Komentuesi-Brixhida Kokëdhimës: Pse yt shoq e dashur Kokëdhima çfarë bëri në gjithë ato vite që ishte në parlament e kudo, ishte për fshatin apo qytetin..? Qeveria po ben të pamundurën për ndryshim, por shkatërrimet e 25 vjetëve kur e ke xhepin bosh nuk mund të ndreqen në katër vjet…e mgj. atë bënë të pamundurën të ndreqnin të gjitha nga pak…duhet t’i ndihmojmë që të punojnë. “BASHKIMI BËN FUQINE “.themi ne, apo jo?
Brixhida Kokëdhima-komentuesit: Unë kam jetuar një jetë të lumtur e të madhe pranë z. Kokëdhima! Ai është një njeri i jashtëzakonshëm! Është patriot dhe atdhetar si rrallëkush, i ditur dhe i mençur, punëtor dhe i drejtë, i ndershëm dhe bujar, i lidhur me njerëzit e thjeshtë dhe me popullin tonë, besnik i kauzave të mëdha kombëtare dhe i interesave të larta të shtetit tonë. Ai është njeri krijues dhe menaxher i rrallë, njohës shumë i mirë i historisë, traditave dhe kulturës sonë, është njohës i thellë i ekonomisë, artit, politikës dhe biznesit.
Zoti Kokëdhima ka qenë vetëm 30 muaj deputet. Nuk ka qenë asnjëherë në qeveri apo në ndonjë post tjetër. E kam shoqëruar kudo dhe e njoh shumë mirë punën e jashtëzakonshme që bëri me shpirtin e tij inovator dhe reformator. Duhen volume të tëra për të treguar me detaje veprën që ai bëri si deputet i popullit. Unë do tregoj vetëm shumë pak gjëra.
Ai dëgjoi me vëmendje e rrespekt të thellë dhe ndihmoi me zemër e përkushtim çdo banor, fshat më fshat e familje më familje, luftoi me vendosmëri korrupsionin e zyrtarëve të shtetit dhe në zonën ku drejtoi ai i dha fund shitblerjes së posteve të punës, emërimeve nepotike e me diploma false, pa meritë apo vetëm për interesa partiake. Mobilizoi qindra ekspertë, specialistë e shkencëtarë dhe hartoi qindra projekte për t’i dhënë një zhvillim të gjithanshëm bregut të Jonit. Ngriti 14 zyra, me njerëz që dëgjonin e shërbenin njerëzit e thjeshtë e të braktisur të provincave tona. Mbrojti në çdo rast banorët nga çdo padrejtësi dhe nga prishjet dhe shkatërrimet barbare të INUK të urdhëruara nga qeveria. Organizoi në verën e vitit 2014 dëgjesat dhe ballafaqimet e çdo fermeri dhe blegtori të zonës me përfaqësuesit më të lartë qendrorë e lokalë të ministrisë së bujqësisë.
Ai negocioi me qeverinë një politikë të re për bujqësinë dhe planin që nga buxheti i shtetit për vitin 2015, bujqësia shqiptare të përfitonte 100 milionë euro subvencione. Punoi pa u lodhur që të bindte qeverinë të vendoste si prioritet nr.1 bujqësinë dhe ushqimin e popullit. Ideoi shumë projekte konkrete për tē nxitur krijimin e ndërmarrjeve të prodhimit të madh në fushën e ushqimit. Ai ka shumë vite që shpjegon vizionin e tij se është jetike për shqiptarët që ata ta prodhojnë vetë ushqimin e tyre. Shqipëria, jo vetëm nuk duhet të importojë, por duhet të eksportojë ushqime. Ai ka analizuar sistemin politik të kalbur të Shqipërisë dhe ka hartuar e përcaktuar saktësisht rrugët dhe platformat për ta reformuar këtë sistem politik dhe për ta modernizuar e ngritur shtetin shqiptar.
Asnjë deputet tjetër në historinë e pluralizmit nuk ka bërë kaq shumë punë e përpjekje dhe nuk ka trazuar jetën politike të Shqipërisë si zoti Kokëdhima. Idetë, iniciativat dhe qëndrimet e tij kanë qenë përvëluese si uthulla dhe acidi në plagë për moçalin e ndyrë të politikës së vendit. Kjo është edhe arsyeja që mandatin e tij e goditën me komplot të gjithë liderët aktualë politikë. Këta liderë që janë armiq për njeri tjetrin u bënë të gjithë bashkë për zhbërë modelin dhe politikën e zotit Kokëdhima dhe për ta larguar atë nga politika.
Por unë që e njoh shumë mirë vendosmërinë, kurajon dhe aftësinë e këtij njeriu, që i qëndroj dhe më qëndron në krah prej 35 vitesh, e di shumë mirë se ai dhe ZGJIDHJA do e fitojnë këtë luftë, do e reformojnë patjetër sistemin politik dhe do e përmbysin këtë elitë të diskredituar politike. Unë jam dakort se bashkimi bën fuqinë. Por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, i nderuar zoti Mirel. Nuk ndodh kështu po të bashkosh qingjat me ujqërit, as të na ftosh të bashkohemi me politikën dhe politikanët e moçalit. Ka një bashkim që bën fuqinë: bashkojuni projektit të ZGJIDHJA-s. Zgjidhja kërkon që populli t’i dalë për zot fateve të tij! #BashkohuniMeZgjidhjen
(E.K/SHUPLAKA)