Pas vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi, në mediat shqiptare po flitet përditë për dhunën në familje. Ditën e sotme Televizioni Publik Shqiptar ka zbardhur disa prej shifrave zyrtare të cilat tregojnë në Shqipëri se të paktën 12 gra, vajza dhe nëna denoncojnë çdo ditë dhunën nga bashkëshortët, të dashurit dhe fëmijët e tyre.
Vetëm këtë vit rezultojnë 2959 denoncime të dhunës në familje në format e rrahjes, kërcënimeve, dhunës psikologjike dhe seksuale.
Mirëpo përveç këtyre, shifrat që janë akoma më alarmante kanë të bëjnë me viktimat e dhunës. Siç duket nga të dhënat, çdo muaj një person ka humbur jetën nga dhuna. Plot 9 vrasje për shkak të dhunës në familje, janë shënuar vetëm gjatë periudhës janar-gusht.
Ndërkohë, gjatë të njëjtës periudhë janë lëshuar 1563 urdhra mbrojtje. Mirëpo këtu kemi parasysh se numri mund të jetë akoma më i lartë pasi shumica e grave të dhunuara nuk e denoncojnë rastin, ndërkohë që një numër i madh i atyre që e kanë bërë një gjë të tillë e kanë tërhequr denoncimin. (D.D/Shuplaka)