Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, në një lidhje telefonike me Fax Neës ka diskutuar mbi situatën në Shkodër, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës si kryebashkiak në qytetin verior.
Pavarësisht dorëheqjes së Pjetrit, Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit në Shkodër pritet që të mblidhet ditën e hënë, për t’u konstituuar.
Sipas Kumes Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë shans për të vendosur lidhur me mandatin e Voltana Ademit, që sipas tij do të qëndrojë në detyrë, deri në betimin e pasardhësit të saj.
Ish-kreu i KQZ-së tha më tej se zgjidhja ka dy rrugë, njëra është ajo e shpalljes së një date të re për zgjedhjet, ose vendimi të merret në Komisionin Qendror të zgjedhjeve.
Enea Meksi: A mund ta shkarkojë këshilli Bashkiak zonjën Ademi?
Kristaq Kume: Këshilli bashkiak i referohet zgjedhjeve të kryera, dhe duhet të bëjë me dije se i zgjedhuri ja dhënë dorëheqjen. Këshilli Bashkiak nuk mund të shprehet lidhur me mandatin e Voltana Ademit. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë Shkodra do të qeveriset edhe nga Këshilli Bashkiak dhe nga zonja Ademi.
Meksi: A mund ta drejtojë Bashkinë e Shkodrës nënkryetari, a jemi në shkelje të ligjit në këtë pikë?
Kume: Jo nuk ka mundësi pasi Voltana Ademi në zbatim të ligjit për organet e qeverisjes vendore, duhet të qëndrojë në detyrë derisa pasardhësi i saj të betohet.
Ka një dispozitë që mund të marrë funksionet e kryetarit nënkryetari, vetëm në rast se ka një ndërprerje të mandatit, 6 muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar. Ka të bëjë me krijimin e vakancave, dhe jo me rastet e mosbetimit.
Meksi: A parashikohen zgjedhjet e parakohshme në këtë rast?
Kume: Pritej që presidenti Meta të reagonte në këtë mënyrë, sa kohë që ai njeh si të ligjshme vetëm datën 13 Tetor. Sigurisht që mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme, sa kohë që kemi një vakancë të parashikuar nga ligji.
Rruga tjetër që ka të ngjarë që të ndiqet është që mazhoranca të kërkojë trajtimin e rastit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe ky mund të jetë skenari më i keq. KQZ mund të shpallë zgjedhje të reja, por edhe këtu nuk mund të plotësohet kuorumi i nevojshëm.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post