Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë vizitës në një familje me të ardhura modeste në Durrës, ka akuzuar qeverinë për korruptim dhe ka paraqitur planet e tij për ta ndihmuar popullatën nëse partia e tij rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit.
Berisha tha se çdo qytetar do të marrë një minimum jetik prej 200 eurosh, pavarësisht nga burimet e tjera të të ardhurave. “Pra, tre vetë mbahen me 300 mijë lekë. Jo, do vendosen 200 mijë lekë për secilin prej jush. Nuk do ketë asnjë shqiptar që do marrë nën 200 mijë lekë,” shprehu ai.
Ai theksoi se kjo masë do të ndihmojë familjet në nevojë dhe do të sjellë një përmirësim të shpejtë të situatës financiare të qytetarëve, duke shtuar se “gjendja brenda 3 muajve të parë do të ndryshojë në mënyrë pozitive”.
Berisha gjithashtu preku çështjen e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke u angazhuar për një ndërhyrje të shpejtë për ndihmën e familjeve të dëmtuara. “Do bëjmë gjithçka që me problemet e krijuara nga tërmeti t’i mbyllim brenda një viti,” tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se shpopullimi dhe largimi i të rinjve nga vendi është rezultat i politikave të korruptuara. Ai kritikoi qeverinë për abuzimet me fondet dhe mungesën e krijimit të vendeve të punës, duke u shprehur se “korrupsioni krijon një pasiguri të madhe te prindërit që tremben se fëmijët e tyre do të ikin”.
“Gjithë problemi është se po të bësh një analizë të thellë, vjedhja që u bëhet shqiptarëve është nëna e të gjithë problemeve të tyre,” shtoi ai.