Presidenti Ilir Meta i ftuar ne Fax News në një intervistë përballë gazetarit Bledian Koka u shpreh se është optimist për çeljen e negociatave në Qershor.
Gazetari: Zoti President, jeni njohur besoj me raportin e Komisionit Evropian për rekomandimin e çeljes së negociatave. Një pjesë e raportit ju është dorëzuar dhe Ju. A e meriton Shqipëria çeljen e negociatave me ato arritje që ka shënuar deri tani ashtu si evidentohen edhe në këtë dokument.
Presidenti Meta: Unë mendoj se “Po”! Pasi çelja e negociatave nuk është anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian.
Gazetari: Ndërkohë zonja Merkel në takimin e fundit që pati me Kryeministrin Edi Rama foli për disa parakushte ose disa kushte shtesë, të cilat kanë të bëjnë së pari me përforcimin dhe përmirësimin e ekonomisë së vendit, por edhe me luftimin e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në një farë mënyre duket se largimi i zotit Tahiri është një pjesë e plotësimit të kërkesave të zonjës Merkel. Po me çështjen ekonomike, si mendoni se do bëhet?
Presidenti Meta: Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e negociatave, me vështirësitë për marrjen e një vendimi të tillë dhe me ndikimin që ata do të kenë në trajtimit e disa problemeve të rëndësishme me të cilat ndeshet vendi, por të cilat janë dhe çështje kyçe për anëtarësimin në BE. Në radhë të parë kanë të bëjnë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i ngushtë nga e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe natyrisht edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ.
Gazetari: Qeveria shqiptare ka kërkuar me ngulm çeljen e negociatave duke parë një llojhezitimi që kanë disa prej vendeve skeptike në BE. Kryeministri Edi Rama ka folur duke paralajmëruar se, nëse nuk do të ketë çelje të negociatave në qershor ose një shtyrje të dytësiç ndodhi në vitin 2016, atëherë Ballkani por edhe Shqipëria mund të bjerë pre e ndikimit rus. A besoni ju tek ky rrezik në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri zoti Meta.
Presidenti Meta: Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur rrugën e saj, që është rruga e integrimit evropian dhe e përcaktimit euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Nuk është një rrugë e lehtë si për Shqipërinë, e cila duhet të motivohet edhe më tej për përmbushjen e standardeve që kërkohet, ashtu edhe për BE-në, i cili nuk përjeton momentet më entuziaste për sa i takon politikës së zgjerimit. Për të gjitha arsyet të cilat dihen. Por, i cili sigurisht ka patur edhe disa zhgënjime të tij nga anëtarësimi i disa anëtarëve në BE, ku disa problematika nuk është se janë zgjidhur përfundimisht edhe me bërjen anëtar të BE të këtyre vendeve. Kjo ka bërë BE-në që të jetë edhe më kërkues ndaj vendeve si Shqipëria që synojnë të çelin negociatat dhe të anëtarësohen në BE dhe natyrisht kjo nuk ka pse të na dekurajojë ne, por duhet të na motivojë më tej për të demonstruar arritje, progres, qëndrueshmëri, respekt të parimeve të qeverisjes së mirë, të parimeve demokratike në vend dhe standardeve evropiane në çdo sferë. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër dhe as një rrugë tjetër, nuk është se kemi disa alternativa edhe po lëmë një alternativë dhe po zgjedhim një tjetër. E vetmja rrugë e jona është kjo rrugë.
Gazetari: A do të ishte dekurajuese Zoti President një refuzim i dytë nga Këshilli Evropian dhe nga vendet anëtare për çeljen e negociatave? Meqë jemi këtu dhe po ju pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë: a e ndieni të nevojshme të merrni edhe ju pjesë në një tur diplomatik me homologët tuaj, them me Mbretin e Spanjës apo qoftë me Presidentin e Gjermanisë për t’i bindur që të mos votojnë kundra nesh?
Presidenti Meta: Mendoj se Presidenti i Gjermanisë është një ndër më mbështetësit e një vizioni strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Dhe nuk mendoj se problemi është thjesht çështja e lobingut. Unë mendoj se përparimi është dokumentuar qartë. Edhe fushat ku kërkohet përparimi i mëtejshëm janë bërë më se të qarta. Dhe jam i sigurt se e vetmja rrugë që na ndihmon të ecim drejt një vendimi pozitiv në qershor evitimi i kësaj gare ku të gjithë aktorët kërkojnë të bëjnë opozitë, dhe marrja e përgjegjësive, e qeverisë në radhë të parë, por edhe vetë opozitës, për të demonstruar edhe përgjegjshmëri më të lartë, edhe përqendrim më racional në ato përparësi ku kërkohet të raportohet përparimi çdo ditë, çdo javë.
Gazetari: Zoti President, çfarë nënkuptoni me të gjithë aktorët që janë në garë për të bërë opozitë, përveç opozitës? Dhe kundër kujt bëhet kjo opozitë?
Presidenti Meta: Pse mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë proçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast se negociatat nuk do të çelen në qershor. Dhe unë jam personalisht optimist, kuptohet me këmbë në tokë, që kjo është tërësisht e mundshme dhe nuk duhet të shpikim as armiq të brendshëm, as armiq të jashtëm, por duhet të tregojmë se jemi një vend, i cili ka institucione, i cili i respekton këto institucione, edhe ku aktorët marrin përgjegjësi. Përgjegjësi në qeveri, përgjegjësi në opozitë, përgjegjësi në krye të institucioneve të pavarura.
Gazetari: E kuptoj. Meqë po flasim për armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtëm, a besoni se ekziston në Shqipëri rreziku i fondamentalizmit islamik, dhe akoma edhe më tej, ajo që ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Gjermani, se ky fondamentalizëm islamik mund të nxitet përmes ndikimit rus?
Presidenti Meta: Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë: atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët janë të vendosur në këtë rrugë. Politikanët dhe gjithë klasa drejtuese në vend duhen ta lehtësojnë këtë rrugë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Dua të çmoj shumë edhe aktin mjaft të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të të gjithë krerëve të bashkësive tona fetare, pas miratimit të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ku të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në një deklaratë të përbashkët përveç se vlerësuan këtë rekomandim, bënë thirrje që të ecet në rrugën e bashkëpunimit për të përmbushur të gjitha sfidat që kërkon çelja e negociatave, sepse ne e kemi tashmë të qartë që të gjithë pavarësisht nga dallimet apo besimi fetar, jemi shqiptarë. Por njëkohësisht edhe të gjithë jemi evropianë. Kështu që nuk e shoh një rrezik të tillë si rrezik me bazë në vend, pavarësisht se këtë harmoni ndërfetare dhe këtë orientim të qartë evropian të të gjithë aktorëve në vend nuk duhet ta marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë, por duhet ta kultivojmë dhe ta forcojmë çdo ditë.
(M.Q/Faxweb)