Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas rekomandimit që KE bëri për hapjen e negociatave me BE-në. Përmes një statusi në Facebook, ish-kreu i qeverisë deklaron se me këtë vendim të drejtë KE tregoi dashamirësinë dhe respektin për popullin shqiptar.
Më tej Berisha shkruan se ky raport ishte një thirrje e qartë për t’u ndarë njëherë e mirë nga Rama dhe bandat e tij, që këto vite kanë droguar vendin.
Statusi i plotë:
Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë!
Të dashur miq, sot, në raportin e tij për Shqipërinë, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit Europian pavarësisht për arsye gjeostrategjike dhe të paqes në rajon, siç deklaroi në Parlamentin Europian presidenti i këtij Komisioni Jean Claude Juncker, hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Komisioni Europian me këtë vendim të drejtë ka shprehur gjithashtu dashamirësinë dhe respektin e tij për kombin shqiptar, përpjekjet dhe aspiratat tona për tu integruar në Bashkimin Europian si e ardhmja jonë më e mirë e tij.
Prandaj ju ftoj të dashur miq, t’i shprehim mirënjohjen tonë të thellë Komisionit Europian për vendimin e tij të sotëm dhe le t’iu bëjmë thirrje vendeve anëtare ta miratojnë këtë vendim shume të rëndësishëm për perspektivën europiane të kombit shqiptar.
Gjithashtu ju ftoj të denojmë me ashpërsinë më të madhe narkoqeverinë e Edvin Kristaq Ramës që ka instaluar:
– narkoshtetin, në të cilin kryeministri, vëllai Olsi, ministrat janë baronët kryesor të drogës, dhe ka
– shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës,
– vendin, sipas DASH qendër operacionale rajonale të krimit të organizuar
-vendin e eksodit masiv, qytetarët e të cilit rënditen të parët në Europë për kërkesat për azil politik dhe herë herë në Gjermani dhe Francë zënë vendin e parë në botë për këto kërkesa.
-vendin e të rrëmbyerve dhe burgosurve politik,
-vendin në të cilin kreu i ekzekutivit është njëkohësisht kryegjykatësi dhe kryeprokurori i vendit dhe bën gjahun e shtrigave ndaj opozitës dhe kundërshtarëve politike dhe mbrojnë kriminelët e qeveritarët e saj e sorollopin e tyre
-vendin ku lidhjet me trafikantë, vrasës dhe banditë janë kriter për tu bërë ministër, mbiministër, gjykatës, prokuror, zyrtar i lartë i të gjitha niveleve.
-vendin në të cilin në 4 vitet e fundit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit janë vjedhur në tendera dhe konçesione 3.2 miliard euro.
Në këtë kontekst, vendimi për çeljen e negociatave është një thirrje për qytetarët shqiptarë të ndahen sa më parë me Edvin Kristaq Ramën dhe klikën e tij, për të adresuar në mënyrën më serioze problemet e mëdha të vendit dhe ecur të sigurtë në procesin e negociatave në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian! sb